Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është shprehur se janë marrë dy masa për problemin e mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, shtimi i magjistratëve në shkollën e magjistraturës dhe riorganizim i gjykatave të vendit.
Pyetur nga Zëri i Amerikës mbi shqetësimet e ngritura së fundit nga KLGJ, Gjonaj justifikoi mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve me procesin e vetingut.
“Është më mirë të kemi një sistem drejtësie që të ketë vakanca me gjyqtarë dhe prokurorë, se sa të kemi një sistem drejtësie që përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të padenjë, të korruptuar, të lidhur me krimin apo joprofesionalë”, tha ajo.
Sipas ministres rritja e numrit të magjistratëve në shkollën e magjistraturës do të ndihmojnë në përmirësimin e situatës.
Ajo vuri gjithashtu në dukje se ministria e Drejtësisë po punon me KLGJ për një riorganizim dhe hartë të re gjyqësore në vend, ç’ka sipas saj do të sjellë “uljen e numrit të gjykatave duke rritur profesionalizmin dhe efektshmërinë”.
KLGJ ka propozuar prej muajt shtator hartën e re gjyqësore në ministrinë e Drejtësisë por ajo ende nuk është miratuar. Kryetarja e KLGJ, Neureda Llagami ka akuzuar ministrinë për zvarritje të procesit, por Gjonaj e ka mohuar një gjë të tillë.
Ministrja shprehet se qeveria ka kërkuar të ketë një dakordësi të përbashkët me KLGJ për hartën e re gjyqësore ndonëse është kompetencë e KLGJ-së propozimi i kësaj harte.
“Ministria e Drejtësisë ka shprehur pikëpamjet për të mos pasur një kufizim dhe një mbyllje të një numri të lartë të gjykatave dhe kjo është arsyeja e cila na ka mbajtur pa e miratuar si dokument për të gjetur një dakordësi të përbashkët, për sa kohë që ligji përcakton që, vërtetë, Këshilli i Lartë Gjyqësor është ai që propozon hartën gjyqësore, por është ministri i drejtësisë i cili ndërmerr iniciativën legjislative me vendim të Këshillit të Ministrave më pas për t’u miratuar si hartë e re gjyqësore”, ka deklaruar Gjonaj.
Që prej muajt shtator, ministrja thotë se janë kryer konsultime dhe diskutime me anëtarët e gjykatave lidhur me hartën e re gjyqësore.
Ndërkaq sistemi i drejtësisë vijon të vuaj nga mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të procesit të vetingut dhe dorëheqjes së një pjese të magjistratëve.