Para pak ditësh, në një fjalim para administratës tatimore, Ministri i Financave Arben Ahmetaj akuzoi zyrën e tatimeve të Tiranës se u lejon shumë bizneseve në zonën e ish-bllokut të veprojnë si “biznes i vogël” duke shmangur” kështu taksat.
Me këtë rast, Zoti Ahmetaj paralajmëroi një fushatë kontrollesh ndaj bizneseve të vogla në qendër të kryeqytetit, për t’i detyruar ata të kalojnë në skemën e taksimit të plotë të bizneseve, e ashtuquajtura skemë e biznesit të madh.
Në shtator-dhjetor 2015, biznesi i vogël qe shenjestra e një fushate presioni kundër informalitetit, i cili ngjalli reagim të ashpër nga biznesi, gjë që e detyroi qeverinë të tërhiqet, jo vetëm duke ndërprerë kontrollet dhe gjobat për mos lëshimin e faturave fiskale, por edhe duke vendosur të hiqte taksa mbi të ardhurat e biznesit të vogël nga janari 2016.
Heqja e tatimit mbi biznesin e vogël, krijoi kushtet për uljen e shitjeve me faturë të rregullt nga ana e bizneseve të mëdha, duke çuar si pasojë në uljen e faturimeve nga furnitorët, në veçanti të mallrave për bare dhe restorante. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e theksoi, së fundmi, këtë pikë të dobët të strategjisë fiskale të qeverisë.
Por kursimet nga taksat, që biznesi i vogël do të përfitonte nga përjashtimi, u “kapën” menjëherë nga bashkitë, në veçanti nga ajo e Tiranës, të cilat rritën jashëzakonisht nivelin e taksave vendore, duke çuar në dëshpërim shumë biznese të vogla.
Tashmë Ministri i Financave kërkon t’i imponojë biznesit të vogël të kthehet në biznes të madh (dhe kështu të rihyjë në zonën e taksimit të plotë), duke lajmëruar fillimin e fazës së dytë të luftës kundër informalitetit.
Para disa ditësh shumë prej bizneseve të vogla kanë marrë një letër nga zyra e taksave e cila kërkonte shpjegime për uljen e numrit dhe vlerës së faturave të lëshuara prej tyre.
Situata po bëhet gjithnjë e më e çuditshme, me sistemin fiskal që faktikisht ndryshon në vazhdueshmëri, duke mos u lejuar kompanive të bëjnë parashikime apo llogaritje të çmimeve për publikun, ndërkohë që Kryeministri njofton arritje të larta të mbledhjes së taksave në tre muajt e parë të vitit.
Në realitet, gjatë këtyre viteve dallimi (dhe për rrjedhojë taksimi) mes biznesit të vogël dhe atij të madh është lënë qëllimisht nën “arbitrimin” e inspektorëve tatimorë, duke qenë se ligji parashikon se kufiri për t’u konsideruar “biznes i vogël“ varet ekskluzivisht nga niveli i faturimit, që është gjëja të cilën tregtari e fsheh më lehtë.
Sikurse duket, tregtarët e vegjël kanë motivim të fortë të mos deklarojnë shitjet sa më shumë i afrohen kufirit të faturimit që do ta kalonte atë në biznes të madh, që do t’i rriste atij taksat por edhe shpenzime adminsitrative për financat dhe kontabilitetin e biznesit.
Një ministri financash që do të donte vërtetë ta zgjidhte këtë çështje duhej të paraqiste dy ndryshime ligjore: së pari, vendosjen e kritereve objektive për të gjithë ata që përcaktojnë “madhësinë “ e biznesit, dhe së dyti rritjen graduale të taksimit me rritjen e faturimit.
Sot, faktikisht, ndodhin diskutime të zjarrta mes pronarëve të bizneseve dhe inspektorëve të taksave, kur këta të fundit përpiqen të vërtetojnë se biznesi duhet të kalojë nga i vogël në të madh. Por falë faktit që ligji nuk përcakton tregues formalë dhe objektivë për ta gjykuar këtë çështje, gjithçka mbyllet me “negocim” privat, ku shteti shpesh përfiton më shumë se sa inspektorët dhe funksionarët tatimorë. Ndërkohë, po të kishte tregues të qartë dhe të verifikueshëm objektivisht, si për shembull sipërfaqja e mjedisit, numri i tavolinave apo karrigeve, vlera e pajisjeve, etj, këto diskutime tatime-biznes do të prodhonin më shumë të ardhura buxhetore, nga njëra anë, dhe më pak korrupsion, nga ana tjetër.
Në të njëjtën mënyrë kalimi i menjëhershëm nga taksimi zero në një taksim të plotë do të ishte barrë e tepërt, ndaj rritja graduale e taksimit mbi të ardhurat do të ulte shumë rezistencën.
Në të kundërt, aksioni tatimor i sapo shpallur nga Minsitri i Financave duket i frymëzuar nga ndryshime të faktorëve të jashtëm dhe mbi të gjitha do të ushtrohet përmes taktikave shtypëse dhe selektive, bazuar në tregues jo objektivë, që mund të kthehen thjesht në instrumente zhvatjeje.
Kjo qasje prodhon më tepër debate dhe pakënaqësi sesa rezultate praktike.
Por ka diçka mbi gjithë të tjerat që Ministria e Financave duhet të marrë në konsideratë, edhe pse qeveria për motive propagandistike e mohon: mbledhja e përgjithshme e taksave dhe detyrimeve të tjera nga qytetarët është duke u rritur dhe paratë e paguara në taksa nga qytetarët nuk mund të shpenzohen më për konsum, duke ulur, kështu, kërkesën e brendshme që u krijon tregtarëve probleme më të mëdha se vetë taksimi i rritur.
Që qeveria vazhdon të lëshojë mesazhe qetësuese është e kuptueshme, por që të përfundojë t’i besojë vetë ato është absolutisht e papranueshme. Përpara se të marrë aksione fiskale arbitrare, qeveria duhet të konsiderojë deflacionin, rënien e kërkesës, rënien e fuqisë blerëse të konsumatorëve dhe mbi të gjitha likuiditetin e tregtarëve të vegjël. Në një vend që ka gjithmonë valixhet gati, fatkeqësia ekonomike, politike dhe sociale është gjithmonë e më pranë.