Sot në media raportohet se në pikën kufitare të Kapshticës, policët e ‘Frontex’ kanë kapur 16 emigrantë të paligjshëm, me kombësi siriane, marokene dhe algjeriane.
Agjencia Europiane Kufitare dhe Rojeve Bregdetare Frontex filloi operacionin e parë të plotë jashtë vendeve të BE-së, në Shqipëri, javën e kaluar. Shqipëria është vendi i parë që ka miratuar një ligj që u jep zyrtarëve të Frontex-it imunitet të plotë për çdo krim që ata mund të kryejnë në territorin shqiptar.
Komisioneri i BE Dimitris Avramopulos mbajti një konferencë për shtyp në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku deklaroi:
“Nesër, ekipet e para evropiane të kufirit dhe rojes bregdetare do të vendosen në Shqipëri. Ata do të mbështesin rojet kufitare shqiptare me pajisje dhe personel në seksione të rëndësishme të kufirit me Greqinë.
Ky është një hap historik: do të jetë hera e parë që Ekipet Kufitare dhe Rojet Bregdetare Evropiane do të vendosen në një vend jashtë BE-së dhe mund të ndihmojnë një vend partner drejtpërdrejt në terren.”
Në praktikë kjo do të thotë se Shqipëria ka hequr dorë nga një pjesë e konsiderueshme e sovranitetit, duke lejuar roje kufitare të huaja të patrullojnë kufijtë e saj, të marrin në pyetje shtetasit e saj dhe të kontrollojnë letrat dhe automjetet e tyre. Sipas marrëveshjes midis BE dhe Shqipërisë, rojet kufitare Frontex do të kenë “fuqitë ekzekutive të nevojshme për operacionet e kontrollit kufitar dhe kthimit”.
Këta roje kufitare do të lejohen të përdorin armë, në tokën shqiptare, ndaj shtetasve shqiptarë:
“Gjatë kryerjes së detyrave dhe ushtrimit të kompetencave të tyre, anëtarët e ekipit do të autorizohen të përdorin forcën, përfshirë armët e shërbimit, municionet dhe pajisjet, me pëlqimin e Shtetit Anëtar të origjinës dhe të Republikës së Shqipërisë, në prani të rojeve kufitare ose të tjerë punonjës relevantë të Republikës së Shqipërisë dhe në përputhje me ligjin kombëtar të Republikës së Shqipërisë.”
Megjithatë, ndryshe nga policët shqiptarë, rojet kufitare Frontex do të kenë imunitet të plotë nga ligji shqiptar, praktikisht duke vepruar pa u ndëshkuar:
“Anëtarët e ekipit gëzojnë imunitet nga juridiksioni penal i Republikës së Shqipërisë në lidhje me veprimet e kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare gjatë veprimeve të kryera në përputhje me planin operativ.”
Për më tepër, rojet kufitare Frontex “nuk janë të detyruar të japin dëshmi si dëshmitarë”, ndërsa qeveria shqiptare është “përgjegjëse për çdo dëm […] të shkaktuar nga një anëtar i ekipit gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare”.
Të gjitha këto detaje na tregojnë arsyen se përse asnjë vend tjetër, as në Evropë, as në Lindjen e Mesme dhe as në Afrikë, nuk e ka lejuar Frontex-in të veprojë brenda kufijve të saj. Bëhet fjalë për lejimin e forcave të armatosura policie të huaj në vendin tënd.
Pra, edhe para se Shqipëria të hyjë në negociata për anëtarësimin në BE, ajo ka dhënë tashmë atë që shumë vende e çmojnë si pasurinë e tyre më të çmuar: kontrollin mbi kufijtë e tyre dhe mbajtjen e ligjit të tyre si ligjin më të lartë të vendit të tyre.
Frontex nuk është një agjenci e padëmshme dhe ka qenë (bashkë) përgjegjëse, për shembull, për trajtimin çnjerëzor dhe degradues të azilkërkuesve në Greqi dhe shumë vdekjeve të emigrantëve në Mesdhe. Pjesë e rolit të Frontex-it do të jetë pikërisht për të vepruar kundër “emigracionit të paligjshëm”, me fjalë të tjera, për të mbajtur shqiptarët që duan dëshpërimisht të largohen nga Shqipëria, ligjërisht apo ilegalisht, brenda vendit.
Natyrisht, ne të gjithë shpresojmë se agjentët e Frontex do të sillen siç duhet në vendin që i ka hapur aq bujarisht dyert për to, por Shqipëria ka shumë pak kontroll në këtë marrëveshje. Dhe nëse ajo, në një moment, dëshiron të tërhiqet, kjo me siguri do të mbyllë dyert për negociata të mëtejshme me BE-në. Me fjalë të tjera, qeveria e Ramës ka dhënë shumë, shumë shpejt, pasi nuk ka asgjë tjetër për të treguar.