Kreu i PD-së, Lulzim Basha bisedoi të martën me mjekët e familjeve për tu njohur me problemet që ato po hasin në përballimin e pandemisë së Covid-19.
Disa prej mjekëve thanë se po hasen me një numër të shtuar pacientësh të infektuar me Covid-19, të cilët detyrohen ti dërgojnë në spitale private për të bërë skanera e grafi, pasi në spitalet publike radha për të marrë këto shërbime nuk të vjen kurrë.
“Në qendrat shëndetësore nuk bëhet asnjë analizë që zbulon praninë e COVID’, u shpreh një mjek.
Lidhur me tamponët dhe rezulatet e tyre, mjekët thanë se jo vetëm që ka vonesa në marrjen e tamponeve, por dhe në marrjen e rezultateve.
Sipas mjekëve ka plot raste kur ata detyrohen të nisin mjekimin edhe pa marrë rezultatet e testimit, sepse pacientët kanë simptoma të rënda.
Mjekët u ankuan dhe për mungesën e mjeteve të punës:
“Nuk kemi oksimetër për të matur saturimin me oksigjen, nuk kemi as stetoskopë,” u shpreh një prej tyre.
Ata thanë se dhe mjetet mbrojtëse për veten e tyre detyrohen t’i blejnë vetë sepse qendrat shëndetësore nuk i kanë.
Vetë Basha akuzoi qeverinë se mumri i fataliteteve të raportuara nga institucionet është shumë më i lartë se ai i raportuar.
Ai theksoi se është e nevojshme që qeveria të rimbursojë paketën trajtuese të ilaçeve kundër Covid-19 sepse kostot për qytetarët janë shumë të larta.
Aktualisht vetëm azitromicina rimbursohet nga shteti dhe ky është një ndër ilaçet më të lira që i nevojitet një pacienti me Covid-19.