Mjekët do të protestojnë, të enjten, në orën 10:00, në QSUT, për të kërkuar rritje page e kushte më të mira punë.
Katër kërkesat e tyre ndaj qeverisë janë:
– Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.
– Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
– Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
– Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar t’i takojë mjekët në kryeministri përpara protestës, për të biseduar me ta për kërkesat e tyre. Ndërsa policia nuk i ka dhënë leje mjekëve për protestën për shkak të pandemisë.
Një njoftimin e policisë shkruhej:
‘Zhvillimi i këtij tubimi në kohë pandemie, përbën rrezik real për shëndetin tuaj dhe të qytetarëve të tjerë. Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, për pjesëmarrje dhe grumbullime të paligjshme.’