Mjekë dhe infermierë kanë protestuar në heshtje, të enjten, përpara Urgjencës së QSUT-së. Ata kërkojnë nga qeveria rritje pagash dhe kushte më të mira pune.
Dr. Ibrahim Ruka deklaroi për median, se mjekët dhe përfaqësuesit që kanë shkuar sot në takim me kryeministrin Rama dhe ministren Manastirliu, nuk janë përfaqësues të sindikatës së mjekëve, por të përzgjedhur të Ramës:
“Sot sapo morëm lajmin që dhe kryeministri dhe ministrja nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësinë e sindikatës por kanë lënë këshilltarët në dispozicion të tyre. Ky është një mashtrim i madh që i kanë bërë sindikatës.”
Lidhur me vazhdimin e protestës, Ruka tha se do të mblidhet këshilli koordinativ i sindikatës së mjekëve për të vendosur për më tej.
Katër kërkesat e mjekëve për qeverinë janë:
– Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në luftë me koronavirusin.
– Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
– Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
– Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.