Kryeministri Rama, në monologun e përjavshëm të së dielës në Facebook, foli për zhvillimin ekonomik që Shqipëria ka marrë gjatë Qeverisë Rama. Kryeministri për të disatën herë, u shpreh i sigurtë se shqiptarët do ta votojnë sërish atë për një mandat të dytë si kryeministër 5 vendit. Kryeministri nuk ka bërë asnjë koment për të ardhmen e koalicionit PS-LSI, një ndër çështjet më të diskutuara ditët e fundit në media.
Ndër të tjera, Kryeministri Rama deklaroi:
- Programi ynë ekonomik po vazhdon të ecë sipas planit dhe ka arritur objektivat të korrigjimit të çekuilibrimeve që trashëguam dhe të fuqizimit të vazhdueshëm ekonomik.
- Sot jemi në kushte të reja, ku vendi jo vetëm ka marrë kthesën nga buza e humnerës ku gjendeshim në vitin 2013, por mund të synojmë për shumë më tepër akoma, sepse kemi rezerva të pashfrytëzuara.
- Reformat e qeverisë janë me rëndësi jetike për rritjen e besimit, nxitjen e investimeve.
- Reformat po na japin vetëm rezultatet e para, të cilat do të shtohen dhe do të konsolidohen hap pas hapi.
- Të mos harrojmë që kemi rritur pagat dhe pensionet me 100 milionë dollarë pa rritur borxhin publik.
- Rritje taksash nuk ka dhe nuk do të ketë.
- Paralelisht me luftës kundër informalitetit që gjatë këtij viti do të thellohet, ne do nisim realizimin e programit kombëtar të financimit 1 miliardë dollarë për rindërtim.
- Mandati i parë qeverisës që po shkon drejt përfundimit në disa muaj është vetëm pjesa e parë e një ndeshje shumë të vështirë, të cilën pa diskutim ne do ta fitojmë sëbashku.
- Mes pjesës së parë dhe të dytë në politikë nuk ka pushim, por ka zgjedhje, por për zgjedhjet kemi ende kohë për të folur sepse çdo ditë deri në rënien e gongut të fushatës elektorale për ne është thjesht një ditë e gjatë punë për të çuar përpara projektin fitues për një rilindje shqiptare.
- […] jemi në drejtimin e duhur dhe rruga që kemi bërë mjafton për të qenë të sigurtë për drejtimin!