Këtë të dielë, Kryeministri Rama ia kushtoi monologun e tij të përjavshëm në Facebook, raportit PISA, i cili mat aftësinë e nxënësve 15-vjeçar në matematikë, shkencë dhe lexim. Kryeministri tha se Shqipëria ka lënë mbrapa 21 vende më të përparuara. Ai shtoi se:
Këtë javë morëm një lajm shumë të mirë për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. Programi Ndërkombëtar i Vlerësimit të nxënësve PISA, është vlerësimi i njohur ndërkombtarisht mbi nivelin e përdorimit të komptencave matematikore, shkencore, gjuhësore të nxënësve 15-vjeçarë.
Është e paqartë se përse Kryeministri Rama mendon se raporti PISA ishte një vlerësim pozitiv për politikat e tij në arsim.
Raporti “Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve” (PISA) është një raport ndërkombëtar vjetor i publikuar nga OECD që mat dhe vlerëson aftësitë e 15 vjeçarëve.
Së pari, të gjithë treguesit janë studiuar për një periudhë afatgjatë, e cila fillon më parë se viti 2013, kur Qeveria Rama nisi mandatin.
Së dyti, raporti vlerëson aftësitë e 15 vjeçarëve, një grup moshë që nuk është prekur nga asnjë politikë apo reformë në arsim nga Qeveria Rama.
Së treti, ndër 72 vende të përfshira në raport, Shqipëria renditet e 58-ta në matematikë, 65-ta në lexim dhe 55-ta në shkencë. Vendi jonë nuk ka lënë pas asnjë nga vende e zhvilluara sikurse shprehet kryeministri, por vetëm vende si Maqedonia, Kosova, Algjeria, etj.
Sipas PISA 2016, Shqipëria ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga viti 2009 në fushën e matematikës dhe shkencës, dhe që nga viti 2000 në fushën e leximit.
Megjithatë, aftësitë e 15-vjeçarëve në Shqipëri, në këto fusha, vazhdojnë të jenë nën mesataren e përgjithshme të vendeve të tjera dhe vendi renditet ndër të fundit në Evropë.