Në ditën e 11-të të grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit kanë vendosur të ndërpresin kontaktet dhe të mos dalin nga greva deri sa të gjehet një zgjidhje për ta. Ata kanë thënë se do të vetëflijohen nëse shteti nuk gjen një zgjidhje për të detyruar kompaninë të paguajë rrogat e prapambetura.
Ata kanë mbyllur derën e jashtme të ambientetit ku janë ngujuar dhe nuk pranojnë askënd brenda.
“Do të mbyllim derën kryesore dhe askush nuk do të futet brenda. Vetëm kur të na nxjerrin me barela,” u shpreh një prej tyre.
Teksa gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet çdo ditë, asnjë insitutcion shtetëror nuk ka reaguar për t’i dëgjuar apo kthyer përgjigje naftëtarëve.
Kryeministri Rama, dy ditë më parë, hoqi çdo përgjegjësi nga qeveria për mosmarrjen e pagave të naftëtarëve.
Rama e quajti të panevojshme grevën e urisë së naftëtarëve sepse ‘gjërat mund të zgjidhen me dialog’ sipas tij. Por para grevës naftëtarët protestuan disa javë me radhë, madje dhe para ministrisë së Infrastrukturës, dhe as ministrja Balluku dhe as ndonjë përfaqësues tjetër i qeverisë nuk denjoi t’i takojë naftëtarët.
Sipas mediave gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar, por ata nuk pranojnë të kurohen.
Shumë prej kanë shfaqur probleme me tensionin, zemrën, marrje mendsh. Një mjek pohoi për mediat se ata duhet të marrin kurim të menjëhershëm.
Kjo është greva e dytë e naftëtarëve brenda një viti.
Në shkurt 2020, naftëtarët u futën në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.