Naftëtarët e Ballshit nisën grevën e urisë, të hënën, pasi protestat e tyre, në kërkim të pagave të prapambetura, nuk morrën përgjigje nga qeveria.
Ata rinisën protestat në Ballsh më 14 shtator. Pasi nuk morrën një përgjgije për kerkesat e tyre nga qeveria, ata protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës më 17 shtator, ku dhe u përplasën me policinë.
Naftëtarët paralajmëruan edhe atëherë se në rast se kompania nuk përgjigjet dhe qeveria nuk ndërhyn për të zgjidhur situatën, ata mund t’i rikthehen grevave të urisë:
“Të shkojmë të vendosemi brenda në uzinë, të shohim nëse do vijë shteti apo jo. Ne jemi me qindra familje dhe nuk po na zgjidhin gjë.Vetëm greva e urisë mund të sjellë reagimin.”
Në shkurt 2020, naftëtarët u futën dhe në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.
Rafineria e naftës në Ballsh ka vite që has probleme keqmenaxhimi edhe pse është një nga sektorët kyç të ekonomisë së vendit.