Ideja se një monopol është i mirë në duart e shtetit dhe i keq në duart e privatit është po aq e mbrapshtë sa ideja se një monopol është i mirë në duart e privatit dhe i keq në duart e shtetit.
Pikëpamja e parë është komuniste, e dyta, fashiste. Ajo që i bën këto dy pohime etikisht të padallueshme nga njëri-tjetri është pranimi pa kushte i një dukurie ekonomike skllavëruese: monopolit.
Shtetërore apo private, monopolet janë burim i padrejtësive ekonomike e shoqërore dhe, për rrjedhojë, i tiranisë si forma më e errët e sistemit politik.
Në historinë moderne të ekonomisë shqiptare monopolet e para u formuan gjatë diktaturës komuniste, e cila u ngrit mbi monopolin e rreptë ekonomik të shtetit. Është fakt historik tashmë se këto organizma ekonomike e shoqërore qenë joefiçiente dhe keqpërdorim shkatërrues i burimeve të vendit.
Privatizimi i gjithçkaje shtetërore, me të cilën filloi liberalizimi ekonomik pas rënies së komunizmit, praktikisht i transferoi monopolet shtetërore të komunizmit në duart e disa individëve të lidhur me teknokracinë e regjimit.
Me premisën e rreme se e privatizuara ishte e barazvlefshme me privaten, sektorë të tërë të ekonomisë apo pasuri të mëdha publike u shitën me çmime qesharake te një dorë drejtorësh apo funksionarësh politikë të rangut të dytë të Partisë së Punës. Produkti përfundimtar i këtij operacioni liberalizues është oligarkia që kemi sot.
Në thelb, oligarkia e sotme shqiptare i ka rrënjët tek diktatura komuniste dhe monopolet e para shtetërore të saj. Po aq e vërtetë është të thuhet se liberalizimi shqiptar u zhvillua si fashizëm. Ai ishte dhe mbetet një zgjidhje propagandistike pompoze për të veshur me tis demokratik procesin e transferimit të monopoleve të komunizmit tek monopolistët e rinj privatizues.
Udhëkryqi në të cilin shqiptarët e gjejnë veten sot nuk është dështim i demokracisë apo lirisë, por mospërqafimi asnjëherë deri më sot i secilës prej tyre. Problemi kryesor i demokracisë shqiptare është se nuk ka demokraci dhe nuk ka pasur asnjë çast tre dekadat pas komunizmit.
Demokracia si një mënyrë e qeverisjes në të cilën njerëzit marrin pjesë me vetëdije politike në vendimmarrjen publike, dhe ku liria dhe të drejtat e tyre garantohen nga kufizimi i pushtetit, nuk vdiq pasi lindi: ajo nuk u ngjiz asnjëherë. Oligarkia është emri më i mirë për fashizmin shqiptar, pushtetin e pronarëve privatizues, të cilët janë po ata pronarë shpronësues dhe shtetëzues të diktaturës komuniste.
Vala e fundit e përvetësimit privat të parave publike, pasurive të mëdha apo burimeve natyrore me anë të koncesioneve, të quajtura në mënyrë mashtruese “partneritete publike private”, është një demonstrim i çuditshëm i ortakërisë mes pronarëve shpronësues e shtetëzues të monopoleve shtetërore dhe pronarëve privatizues të monopoleve oligarkike.
Qeverisja e parë e PD-së përfaqëson në këtë skenë etapën e kalimit të monopoleve shtetërore komuniste në duart e aparatçikëve komunistë, që do të bëheshin oligarkët e partnerët më të rinj të ortakërisë me emrin homazh “parternitet publik privat”.
Prej andej, oligarkia karnivaleske shqiptare ka penguar jo vetëm ngjizjen e demokracisë – a çfarëdo forme të përafërt të mirëqeverisjes, – por edhe konkurrencën në tregun e lirë, si dy shtyllat e sistemit modern të demokracisë perëndimore.
Në një etapë të rënduar të turravrapit të saj për të “privatizuar” çdo gjë, oligarkia shqiptare ka vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e strukturës demografike, së cilë herë i referohemi si popull, herë si komb e herë si shoqëri shqiptare.
Ajo që i kanoset sot Shqipërisë nga oligarkia është një panoramë biblike e shpopullimit, që Giorgio Agamben-i e quan ademi – mungesa e plotë e demosit, e popullit.
Nuk është çudi që në një Shqipëri të shpëlarë prej çdo lloj grimce shqiptare – më autoktonia syresh, vetë popullsia, – demokracia të zhvishet nga demosi dhe vendi të shndërrohet në një republikë skllevërish, apo siç quhen në gjuhën modern: punëtorë dhe konsumatorë.
Privatja, më e fundit e P-ve në trion kërcitëse PPP, nuk është, pra, aspak private, por e privatizuar. E privatizuara sot është aq larg privates sa ç’ishte edhe vetë publikja komuniste — e krijuar nga ndërthyrja e dhunës së luftës së klasave, shpronësimit e abuzimit me pronën private të shqiptarëve dhe marrëzisë për të prodhuar pasuri publike inefiçente me çmimin e urisë kronike dhe skamjes apokaliptike të 99 për qind të popullsisë.
Partneriteti ndërmjet publikes komuniste dhe të privatizuarës nga ana e saj shfaqet si kërcënimi përfundimtar për privaten shqiptare dhe rrezikon ta zhdukë atë plotësisht dhe një herë e mirë.
Oligarkia e krijuar përmes privatizimit apo ekonomisë kriminale, dhe e majmur me skemat e koncesioneve nuk ka asnjë motivim dhe asnjë element sipërmarrës në frymën dhe praktikën e saj.
Ajo nuk është e shtrënguar të prodhojë novacion apo zgjidhje me kosto më të ulët si pasojë e domosdoshmërisë së konkurrencës apo frymëzimit të gjeniut sipërmarrës. Në vend të tyre, ajo zhduk çdo kusht për konkurrencë dhe, më së paku, shkurajon çdo sipërmarrës nga orvatjet për të fituar në një treg, që herët a vonë do të “privatizohet”.
Oligarkia, sidomos kjo e jona, krijon dhe zhduk tregje me anë të ligjeve, që i sponsorizon përmes të emëruarve të saj në qeveri.
Për ta arritur këtë qëlllim, strategjia e Edi Ramës dhe oborrit të tij është të propagandojë përditë narrativën e “privates” si magjia që zgjidh problemin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve publike, për të maskuar furnizimin e oligarkisë me oksigjenin e parave të buxhetit apo të qytetarëve përmes tarifave.
Në mënyrë djallëzore, kjo narrativë vesh me maskën e tregut pikërisht procesin e kundërt: atë të shndërrimit të privates në “të privatizuar” në duart e oligarkisë.
Narrativa e grabitjes së privates dje me të privatizuarën dhe sot me të PPP-izuarën është një plojë edhe më e rëndë mbi privaten se ç’ishte shtetëzimi dhe kooperativizimi socialist i saj. Nga njëra anë kjo narrativë mbulon me kujdes procesin e instalimit të plotë diktaturës së monopoleve të oligarkisë, dhe nga ana tjetër i ngarkon privates faturën politike e sociale të përqendrimit të pasurisë në pak njerëz dhe varfërimit progresiv të shumicës.
Është pikërisht ky argumenti kryesor i lëvizjeve anarkiste, të cilat po përhapin me shpejtësi mes të rinjve besimin te rikthimi i komunizmit si zgjidhje, kësaj here e vërtetë dhe e pastër. Sepse, siç shprehen ata, është e nevojshme që në pushtet të jetë një qeveri progresiste – pra, e majtë, – që bën reformat e gabuara, të cilat përshpejtojnë mbërritjen në pikën e krizës perfekte. Në këtë moment hyjnë në lojë instrumentet e përgjakshme të “revolucionit” – luftës civile, – që kurorëzohen me ri-instalimin e diktaturës komuniste.
Skeptikët kanë kohë të binden deri kur dallimi ndërmjet oligarkisë fashiste dhe asaj komuniste të jetë zhdukur. Atëherë edhe dallimi ndërmjet privates dhe të privatizuarës do të jetë shuar.