Banorë dhe ambientalistë protestuan dje përpara Bashkisë Tiranë kundër ndërtimit të pallateve në lulishten pranë ish-Parkut të Autobuzëve.
Banorët, të cilët për disa ditë kanë protestuar tek lulishtja e rrethuar gati për ndërtim, dje përpara zyrës së Kryebashkiakut Veliaj i kërkuan këtij të fundit të mos betonizojë lulishten e vetme në lagjen e tyre.
Me pankarta në duar, banorët i bënë thirrje Zotit Veliaj të mbante premtimet e dhëna në fushatë, ku shprehej se dëshironte të hynte në histori si njeriu që nuk do t’i kthejë lulishtet në pallate.
Zoti Veliaj nuk është ballafaquar anjëherë në mënyrë direkte me qytetarët e zonës së ish-Parkut të Autobuzëve. Ai zgjodhi që pak ditë më parë, me anë të një interviste në televizion të “justifikonte” lejen e dhënë. Zoti Veliaj u tregua i kujdesshëm që në asnjë moment gjatë intervistës të mos përmendë protestën dhe revoltën e banorëve.
Po kjo nuk është censura e vetme që i është bërë protestës kundër ndërtimit të këtij kompleksi pallatesh në lulishten pranë policisë Bashkiake.
Asnjë prej televizioneve nuk transmetoi filmime nga protesta. Lajmi për protestën nuk u dha as si lajm i shkurtër, apo me titra në kënd të ndonjë prej televizioneve që kanë transmetuar çdo miting politik e inaugurim sado të vogël të Kryebashkiakut Veliaj. Për median televizive protesta e banorëve të ish-Parkut të Autobuzëve gjatë gjithë këtyre ditëve nuk ka ndodhur ende.
Foto dhe pamje filmike të protestës u postuan dhe qarkulluan në mediat sociale dhe në disa prej mediave e blogjeve online.