Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar 6 efektivë për dyshimet e shpërdorimit të detyrës, në përpjekjen e Arbër Cekaj dhe Ftamir Pjetrit për arratisje, njoftoi gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Sipas burimeve për median dyshohet se në tentativën e arratisjes përfshihen zyrtarë ose shefa policie pasi oficerët janë të ndaluar të dalin nga regjimi për të shoqëruar Lulzim Cepele, i cili preu damarët, por nuk u dërgua në spital dhe plaga nuk u konsiderua si e rrezikshme për jetën.
Shkeljet e publikuara nga Hoxha janë:
1 — Oficerët e regjimit të brendshëm të burgut kanë dalë nga vendi I punës dhe e kanë dërguar Cepelen, I cili preu damarët, në spitalin e burgut pavarësisht se plaga nuk ka qënë rrezik për jetën.
2 — Oficeri në portën kryesore të 313 nuk ka qenë i armatosur.
3 —Efektivët e policisë me shërbim në tarracën ku kryhet ajrosja për arsye të paqarta atë ditë nuk ishin të pajisur me radio dhe kjo ka vonuar njoftimin për arratisje.
4 — Në pjesën perëndimore të burgut në një nga kolonat kryesore nuk kishte një oficer që të vëzhgonte lëvizje.
5 — Largimi i një zgare hekuri në mes të ambjenteve të ajrimit.
6 — Mos kontrolli i çantës që mbante Fatmir Pjetri ku ishin fshehur litarët, ashtu si edhe mos kontrolli fizik i asnjërit prej të burgosurve.
Këto shkelje do të thonë se pavarësisht arrestimit të Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit, arratisja ka patur bashkëpunëtorë ndoshta shefa të policisë së burgut që mund të kenë shkelur kushtet e sigurisë duke favorizuar arratisjen spektakolare të dy të burgosurit që u kapën nga oficerët.