Për shumë qytetarë të Shqipërisë që nuk e ndjekin politikën në Kosovë, zhvillimet atje mund t’u duken si një lojë futbolli. Madje, edhe qëndrimet janë thuajse të tilla, si tifozë të një ndeshjeje futbolli.
Disa brohorasin për Albinin, disa për Ramushin, e të tjerë për Vjosa Osmanin, por pakkush ka ndonjë arsye tjetër përvec simpatisë që krijon çdo tifoz për një lojtar futbolli.
Ndeshja e të mërkurës mbaroi me rezultat të thellë: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e armatosur me votat e partive të koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma)—kundër të cilave ajo kishte bërë fushatë—rrëzuan qeverinë vetëm 50 ditore të Albin Kurtit.
Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani dhe dy deputetë të tjerë të LDK-së qenë të vetmet vota dhe zëra ndryshe në një front të të gjithëve kundër Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit.
Në fjalën e saj, Osmani e shpjegoi qartë këtë aleancë frontale: “ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku politikanët, me gjasë, nuk e duan ndryshimin.”
Rrëzimi i qeverisë në një kohë kur Kosova e varfër po përballet me krizën shëndetësore dhe ekonomike të koronavirusit është tregues i papërgjegjshmërisë së klasës politike ndaj jetës dhe mirëqenies së njerëzve.
Por lajmi më i trishtë nga seanca e mocionit ishte se edhe njëherë klasa e vjetër e Kosovës triumfoi ndaj të rinjve.
Hashim Thaci, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e të tjerët që u bënë bashkë janë në krye të politikës kosovare që nga dita e parë e vetëqeverisjes së Kosovës së lirë—disa madje janë në politikë që nga koha e Jugosllavisë.
Hashim Thaçi e ka filluar karrierën politike prej vitit 1998, si zëdhënës i UÇK-së, pastaj që nga fillimi Partisë Demokratike të Kosovës, Ministër i Punëve të Jashtme, Zëvëndëskryeministër, Kryeministër dhe së fundmi President deri në vitin 2022.
Isa Mustafa e ka filluar karrierën politike në vitin 1984, si kryetar i qeverisjes komunale të Prishtinës në fund të viteve 1980, pastaj këshilltar i Presidentit Sejdiu, më pas kryetar i Komunës Prishtinë, Kryeministër dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës prej vitit 2010. Ramush Haradinaj e ka filluar karrierën politikë në vitin 2000 kur themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën vazhdon të drejtojë prej 20 vitesh. Ka qenë kryeministër për pak muaj në periudhën 2004-2005, dhe sërish për rreth tre vjet 2017-2020.
Këta tre persona kanë dominuar dhe kontrolluar pothuajse të gjithë politikën e Kosovës pas lufte. Korrupsioni, kapja e shtetit, prapambetja ekonomike, papunësia dhe probleme te tjera të Kosovës janë rezultat edhe i keqqeverisjes së tyre.
Sidoqoftë, politika kosovare e konsumuar prej tyre kishte filluar të jepte shenjat e ndërrimit të gjeneratave, apo të elitës. FIgura që në të gjithë spektrin politik po krijojnë shpresë në panoramën e zymtë të politikës së vjetër, të tilla si Albin Kurti e Glauk Konjufca në LVV apo Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku në LDK.
Megjithatë, politika e vjetër nuk duket e përgatitur të largohet pa rezistencë. Ajo duket se i do të rinjtë t’i përdorë për imazh, por jo për t’u kaluar atyre pushtetin. Kështu bëri në fakt kryetari i LDK-së Mustafa në vitin 2019 duke kandiduar Vjosa Osmanin për kryeministre.
Seanca e së mërkurës kishte të bënte pikërisht me këtë gjë. Në Kosovë, ashtu si edhe në Shqipëri, klasa politike sundohet nga politikanë të vjetër në mendësi, vizione dhe ide, të cilët për shkak të përvojës dhe lidhjeve korruptive, ia dalin të shuajnë zërat e rinj që ngrihen kundër tyre.
Në Kosovë, të gjithë të vjetrit u bënë bashkë, për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, dhe për t’i dhënë goditje Vjosa Osmanit, e cila po kthehej në figurën kryesore të LDK-së, duke lënë në hije kryetarin Mustafa.
Të vjetrit e politikës ia dolën edhe njëherë të mposhtin të rinjtë, të cilët po krijonin një dinamikë të re për shtetin dhe shoqërinë.
Megjithatë, nëse të rinjtë nuk shkurajohen dhe, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, luftojnë në rradhë të parë kundër mentalitetit të qeverisjes si grabitje, ndoshta asgjë nuk është e humbur.
Ajo çfarë ndodhi këtë javë në Kosovë, duhet të jetë një mësim jo vetëm për politikanët e rinj në Kosovë, por edhe për ata të rinj që janë duke e menduar angazhimin politik në Shqipëri.
Nëse do të duan të angazhohen në politikë për të sjellë ndryshim, dhe jo thjesht për t’u bërë fasada e politikës së vjetër, atëherë duhet ta dinë se do të përballen me pengesa dhe stërkëmbësha. Prandaj, duhet të jenë gati për të sakrifikuar në emër të parimeve dhe vlerave që besojnë.
Ashtu, sic Vjosa Osmani do të shprehej në fjalimin e saj kundër mocionit të mosbesimit, “në politikë, ashtu sikur edhe në jetë, duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë edhe kur ajo është e mbushur përplot me gjemba”.
Nëse të rinjtë duan të sjellin ndryshim të vërtetë, andej e këndej kufirit, duhet të përgatiten për t’u përballur edhe me beteja të humbura, siç ishte beteja e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës.
Dhe për të gjetur kurajën për t’u ngritur nga këto humbje të bindur për ndryshimin, duke e ditur se për të fituar një luftë, ndodh të humbasësh një, dy ose më shumë beteja.