Teksa Kuvendi do të mbyllë, këtë javë, edhe një sesion tjetër të punimeve të tij, Kryeministri Edi Rama mund të ndihet i lumtur që ka arritur të ‘rindërtojë’ me sukses, pas largimit të opozitës, një parlament me 122 vende të mbushura dhe vetëm 18 të mbetura përfundimisht bosh.
Përtej çështjes nëse një parlament i tillë është kushtetues—Kushtetuta thotë shprehimisht se Kuvendi ka 140 deputetë—radhët e “opozitës” së tanishme parlamentare janë të mbushura me deputetë nga fundi i listave i partive që e braktisën Kuvendin, të lumtur për marrjen e një mandati (me pagë dhe imunitet) që nuk do ta merrnin dot përmes zgjedhjeve.
Ndërkohë që opozita e vërtetë ndodhet jashtë parlamentit, deputetët e rinj kanë formuar tre grupe parlamentare: grupin “e pavarur”, atë “demokrat” dhe atë ‘të partive të djathta’.
Grupi “demokrat” përbëhet nga deputetë të listës së PD-së; grupi i pavarur nga deputetë nga lista e LSI-së; ndërsa në grupin e “partive të djatha” ka emra nga PD dhe LSI.
Në një tjetër grup me deputetë që nuk i përkasin ndonjë partie, ka deputetë të përjashuar nga grupet parlamentare të PD-së, LSI-së, PDIU-së si dhe Tom Doshi që zyrtarisht është deputet i PSD-së.
Tre grupet e reja paralmentare duket se janë formuar më shumë për të përfituar nga rregullat e Kuvendit, sipas së cilave grupet parlamentare përfitojnë zyra dhe lehtësira të tjera. Ndërsa sa i përket votimeve, këto grupe nuk kanë ndonjë sjellje të qëndrueshme të përbashkët dhe në shumicën e herëve ato votojnë në favor të qeverisë, njësoj si shumica socialiste.
Për shembull, në grupin “demokrat” deputeti Alban Zeneli ka votuar vetëm në 17 për qind të rasteve pro projektligjeve të socialistëve, ndërsa deputetja Rudina Hajdari ka votuar njësoj si socialistët në 63 për qind të rasteve.
Në grupin e “partive të djathta” këto përqindja janë të ndryshme dhe luhaten nga 0 deri në 100 për qind.
Deputetët e grupit “të pavarur” votojnë thuajse njësoj si socialistët.
Këto fakte tregojnë mungesën e një vizioni koherent të opozitës parlamentare, dhe faktin se ata janë më të prekshëm nga ndikimi (dhe paratë) e Partisë Socialiste.
Tom Doshi (PSD), Gjetan Gjetani (ish-PS), Reme Lala e Elena Xhina (PDIU) kanë votuar gjithnjë njësoj me socialistët. Përvec tyre, edhe deputetët e rinj Nikolin Staka e Ramazan Gjuzi dhe deputeti i LSI-së Lefter Koka kanë votuar në 100 për qind të rasteve njësoj si PS.
Vetëm 7 deputetët e mësipërm garantojnë që bashkë me 75 votat e e PS-së, Kryeministri Rama ka në çdo kohë të paktën 82 vota pro çdo projektligji që kërkon të miratojë.
Kjo shifër është shumë afër 84 votave të nevojshme (tre të pestat e Kuvendit) për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Në praktikë, në të gjitha votimet e deritanishme, Kryeministri Rama ka marrë pa asnjë përjashtim mbi 90 vota, dhe në shumicën e rasteve mbi 100 vota, në çdo votim në Kuvend.
Përbetimet e deputetëve të rinj se po hynin në Kuvend për të kundështuar dhe luftuar keqqerverisjen e Edi Ramës ishin propagandë për të justifikuar veprimin e tyre.
Praktikisht në Kuvend nuk ka opozitë—Rama ka arritur të krijojë një parlament plotësisht nën kontrollin e tij.