Prindërit e nxënësve të Shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, në Tiranë janë ankuar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Tiranë për transferimin e fëmijëve në një shkollë tjetër ku do të bëhet mësimi me dy turne.
Me anë të një letër ankese, prindërit e nxënësve të klasave fillore, e dytë, e tretë dhe e katërt, shprehen se ky vendim është marrë vetëm pak ditë përpara fillimit të vitit shkollor dhe pa u konsultuar më parë me prindërit .
Ministria e Arsimit dhe Bashkia Tiranë kanë vendosur që ky grup nxënësish të bëjë mësim në turnin e dytë në shkollën e sapo rikonstruktuar “Hoxha Tahsin”, e cila ndodhet në distancë të konsiderueshme nga shkolla “Fan Noli”.
Për më tepër, prindërit shprehin habi se përse fëmijët e tyre duhet të zhvillojnë mësimin me dy turne në një ambient tjetër, kur dhe në shkollën “Fan Noli” mësimi zhvillohet po me dy turne.
Premtimi i kryebashkiakut Veliaj për shkollat e kryeqytetit
Me ardhjen në krye të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj premtoi se do t’i jepte fund mësimit me dy turne, veçanërisht në shkollat 9-vjeçare. Për këtë, Bashkia Tiranë nisi rikonstruktimin e shkollave aktuale si dhe ndërtimin me skemën e Partneritetit Publik Privat të 20 shkollave të reja.
Në gusht 2016, gjatë inspektimit të punimeve në shkollën “Fan Noli”, Zoti Veliaj u shpreh se “1500 nxënësit që mësojnë në një nga shkollat më elitare të qytetit, siç është “Fan Noli”, do të gjejnë një godinë të riparuar.”
Në tetor 2016, Zoti Veliaj inaguroi punimet në shkollën Fan Noli dhe garantoi se brenda vitit do të zgjidhet probematika e mësimit me dy turne.
Por në gusht 2017, gjatë inagurimit të shkollës “Hoxha Tahsin”, Kryebashkiaku Veliaj i sygjeroi si zgjidhje të mësimit me dy turne, prindërve të nxënësve të Fan Nolit, t’i regjistronin ato tek shkolla e re:
“Thirrja që kam për prindërit është që kemi një hapësirë fantastike për të bërë regjistrime në shkollën e re “Hoxha Tahsin”. Kemi mjaftueshëm hapësirë dhe për të çliruar turnin e dytë nga “Fan Noli” dhe Shkolla e Kuqe, ndaj kërkesa ime është të fokusohen te kjo shkollë.”
Kur mbeten vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, prindërit e nxënësve të shkollës “Fan Noli” ende nuk kanë një zgjidhje për këtë problem.