Ermal Meta fitoi Festivalin e Sanremos me një këngë politikisht korrekte që flet për terrorizmin dhe denoncon kotësinë e tij. Gjithashtu Meta u prezantua si një kandidat politikisht korrekt dhe i përshtatshëm për kohën (gjë që në Sanremo të ndihmon) me historinë e tij prej emigranti, të integruara në mënyrë perfekte, i cili arriti një sukses të dëshiruar edhe nga shumë këngëtar të lindur italianë.
Kjo shërbeu për të treguar edhe se Italia sërish është një vend që ofron mundësi, që nuk diskriminon, mirëpret dhe mbron edhe ato që nuk kanë lindur italianë, dhe kjo, në këto kohë diskutimesh të ashpra mbi emigracionin në Itali, mes zgjedhjeve, dhe deklaratave populiste dhe të papërgjegjshme, duket si një ndihmë për partitë në pushtet.
Por në të vërtet ky sukses tregon edhe se Ermali në këtë pohim ka meritën e tij, sepse të arrish aty ku ka arritur ai ‑ vitin e shkuar iu afrua shumë — nuk e bëjnë dot të gjithë, dhe nuk mjafton të kesh vetëm një origjinë të ndryshme nga të tjerët.
Por triumfi në Sanremo (ose më saktë triumfi në një qendër nevralgjike të sistemit kulturor italian) i një qytetari shqiptar dhe italian si Ermal Meta, tregon sërish që inteligjenca nuk është e lidhur me pashaportën, dhe mbi të gjitha tregon një tjetër falimentim shqiptar.
Ermal Meta ashtu si shumë të tjerë, gjeti tek emigracioni atë sukses që në vendin e tij nuk mundi as ta hipotetizonte, ai u largua duke lënë pas krahëve Shqipërinë dhe një histrori të trishtë dhune në familje.
Italia —e nënvlerësuar nga disa — i dha Ermalit ato mjete kulturore që iu deshën atij për të arritur suksesin, në triumfin e të cilit Shqipëria nuk ka asnjë rol dhe as nuk duhet marrë asnjë meritë.
Ermali jeton në Itali prej 22 vitesh. Ai u arratis së bashku me mamanë e tij nga babai agresiv dhe nga një vend i cili nuk i dha as mbrojtje e as shpresë. Ermal Meta është një shembull për të gjithë shqiptarët të cilët e kanë rifilluar jetën në vend të huaj.
Por i trishtë është fakti se edhe pas gjithë këtyre viteve, gjashtë legjislatura më pas, ende shpresa e shqiptarëve mbetet emigrimi, dhuna në familje as nuk diskutohet, ndërsa dhuna në shoqëri rritet çdo ditë e më shumë. Dhe Ermal Meta është një dëshmi për të gjtihë të rinjtë shqiptarë që e ardhmja individuale është më e mirë diku tjetër.
Vëmendja e vetme e klasës drejtuese shqiptare është të propagandojë një vend që nuk ekziston për të bindur ndonjë italian të dëshpëruar të investojë ato pak kursime që ka në Shqipëri, dhe më pas për ta shitur si arritjen e radhës së qeverisë.
Pra, historia e Ermalit është një histori suksesi individual brenda një falimenti katastrofik kolektiv: suksesi është vetëm i tiji, ndërsa dështimi ka shumë baballarë, përfshirë atë që sot nuk do ose nuk di të bëjë diçka për ta shmangur largimin e shqiptarëve e që ndoshta tani do të shfrytëzojë imazhin e Ermalin për të treguar të kundërtën.