Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u shpreh sot se viti 2018 do të jetë vit vendimtar për sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
I pranishëm në Shkollën Verore Evropiane, Zoti Bushati tha se tashmë “topi” është në fushën e Shqipërisë për të vazhduar më tej me reformat.
Ministri Bushati, duke folur për Zonën Ekonomike të Ballkanit, tha se ky bashkim nuk zëvendëson BE-në, por rrit bashkëpunimin në rajon dhe i jep më tepër siguri vendeve të Ballkanit.
Disa nga deklaratat kryesore të Ministrit Bushati janë:
– 2018 është viti vendimtar: BE në pranverën e 2018 do diskutojë për paketën e zgjerimit dhe në rast të një vendimmarrje për ne, që shpresojmë që do të jetë pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarsim, periudha një vit e gjysëm përpara do jetë vendimtare.
– Viti 2019 do të jetë rinovim institucionesh në BE, e kur ka rinovim insitucionesh dhe mandatesh nuk ka domosdoshmërisht një fokus tek ky lloj procesi.
– Gjatë mandatit tim nuk kishte zgjerim, pasi dhe vendet kandidate nuk ishin gati për tu anëtarësuar. BE vendosi një kriter kufizues, siç është rasti i vendeve tona për një kriter restriktiv. Këto janë dëshmi të qarta që BE lëviz jo me atë lloj vrulli që do donim të lëvizte.
– Është moment kritik, sidomos 2-3 vitet në vijim për të kuptuar se cili do jetë vizioni i BE për tu marrë me Ballkanin Perëndimor duke qenë se fillon cikli i ri buxhetor i BE.
– E sigurt është se ku ka vullnet për reforma, ku ka vullnet për transformin është e vështirë të thuhet që BE nuk është përgjigjur.
– Tani është e qartë se topi është në fushën tonë dhe ne nevojitet të forcojmë më tej konsensusin kombëtar dhe dialogun politik në mënyrën që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë dhe ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar.
– Asnjë prej vendeve tona [të Ballkanit] nuk e ka konsideruar procesin e Berlinit [Zonën Ekonomike të Ballkanit] si alternativë ndaj anëtarësimit në BE dhe në asnjë lloj rrethane bashkëpunimin ralonal nuk e kemi konsideruar si alternativë përkundrejt procesit të anëtarësimit në BE.
– Dinamika e bashkëpunimit rajonal dhe kryesisht marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë zhvilluar dhe në rast se nuk do ishte procesi i Berlinit [Zona Ekonomike të Ballkanit] vështirë se do kishim këtë lloj bashkëpunimi politik.