Nëse këta janë studentët "ekselentë", mjerë Shqipëria për të ardhmen e saj! – Koment

Nëse këta janë studentët "ekselentë", mjerë Shqipëria për të ardhmen e saj! – Koment

Kryeministri Edi Rama deklaroi me krenari, të enjten, se 120 studentë të ekselencës u bënë anëtarë të Partisë Socialiste.

Për të propaganduar këtë akt të rëndësishëm të studentëve, Partia Socialiste ka prodhuar një video-reklamë të shkurtër, në të cilën, disa nga studentët ekselentë, tashmë anëtarë partie, tregojnë, njëri pas tjetrit, për arsyen që i shtyu për t’u bërë anëtarë të Partisë Socialiste.

Dikush mund të kishte menduar që ata do të flisnin për aspiratat që mund të kenë për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit. Dikush mund të kishte pritur që ata të flisnin për ëndrra me drejtësi, dinjitet dhe liri. Dikush, më idealist, mund të kishte pritur që të flisnin për dëshirën e tyre për të ndihmuar njerëzit. Dikush tjetër, me imagjinatë më të zhvilluar, mund të kishte pritur që ata të flisnin për nevojën për të ndryshuar mënyrën e të bërit politikë; për dëshirën për të sjellë një qasje të re, një vizion të ri e modern në politikën tonë dallkauke e mediokre. Dikush mund të ketë pritur revoltë, pasion, energji në zërat e tyre.

Të gjithë duhet të jenë zhgënjyer, pasi studentët ekselentë kanë të tjera arsye dhe interesa!

Me fjali të varfra, plot klishe e parulla sipërfaqësore, ndonjëherë pa shumë sens logjik e në disa raste me shqipe të çalë, me ton monoton, studentët më të mirë të Shqipërisë përcjellin dy motive kryesore: adhurimin e lavdet që ndjejnë për partinë (socialiste), dhe interesin e tyre personal.

Nëse këta janë studentët më të mirë të vendit, Shqipëria nuk ka të ardhme.

Ja se ç’thonë ata në video:

Arsyeja pse jam me Partinë Socialiste është, sepse duke qënë se jemi më të mirët, do të jemi gjithmonë me më të mirët,” – thotë një studente, si për të treguar që “ekselencës” i mungon çdo lloj modestie apo përunjësie, përveç asaj para partisë.

Vendosa të bëhem pjesë e Partisë Socialiste, pasi njohuritë e mia dua t’i vë në zbatim konkretisht,” – thotë një tjetër studente, që duket se ngatërron politikën me prodhimin.

Më pëlqejnë punët në grup,” – thotë një student, si për të treguar që ose nuk e ka idenë së çfarë e pret në politikë, ose di të shtiret që në moshë të re.

“…idetë novative, idetë që janë vërtetë aktive, ndaj jam këtu ku jam,” – shton një “ekselente”, si për të treguar që “ekselentët” nuk është e thënë ta kenë idenë se ç’janë idetë.

Një politikan i zoti zhvillohet vetëm në Partinë Socialiste,” – thotë një student, si për të treguar që ai mund ta ketë mëndjen e mbyllur, por adhurimin për partinë e ka të pafund.

E ndjej që në Partinë Socialiste është vendi i duhur dhe ku neve mund të shprehim idetë dhe është fryma e duhur së cilës mund t’i bashkangjiten të rinjtë shqiptarë,” – thotë një “ekselente”, që na bën të mendojmë se e reja në këtë vend i ngjan një mish-mashi klishesh të vjetra.

U anëtarësova në Partinë Socialiste sepse ajo punon fort me idealin dhe ka idealet që unë dua të ndjek,” – thotë një studente, që duket sikur na thotë se “ekselenca” mund të mos e dijë se ç’janë idealet.

Vendosa të marr pjesë në Partinë Socialiste për të hyrë në pjesën politike të vendit,” – thotë një “ekselent”, më në fund, i sinqertë.

Zgjedh Partinë Socialiste sepse është një mundësi për të shfrytëzuar, për të nxjerrë në pah aftësitë tona,” – thotë studentja tjetër si për të treguar që edhe “ekselenca” nuk ka kuptim po mos u duk.

Mendoj se ndryshimi fillon nga unë dhe për këtë ndryshim është pikërisht Partia Socialiste,” – thotë në mbyllje një studente, si për të treguar që “ekselenca” ndonjëhere flet turbullt e arsyeton edhe më turbullt.

Por më e turbullt duket e ardhmja e Shqipërisë.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>