Nga nesër, 11 mars, administrata shtetërore nuk do të ofrojë më shërbime për qytetarët nëpër sportele, si masë për të mos përhapur koronavirusin.
Njoftimin e bëri sot Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së qeverisë për koronavirusin, i cili theksoi sem shërbimet do të merren vetëm online.
Si pjesë e kësaj mase do të jetë mbyllja e shërbimeve të ADISA-s, ku ofrohen në një sportel të vetëm shumica e shërbimeve përfshi gjendjet civile, legalizmet, hipotkat etj. Do të mbyllen gjithashtu edhe shërbimet në sportel të tatimeve dhe taksave, regjistrimit të automejteve, Postës Shqiptare, ujësjellës-kanalizimeve etj.
Po ashtu, një pjesë e administratës publike që mund të punojë nga kompjuteri do të punojë nga shtëpia, si dhe ata prindër që kanë fëmijë të vegjël, në çerdhe, kopshte apo arsimin fillor. Kryeministri Rama u shpreh:
“Nga dita e nesërme do të çojmë në shtëpi atë pjesë të administratës që mund të punojë me kompjuter.
Të gjithë prindërit që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtet, apo arsimit bazë dhe që nuk janë në këtë pjesë të administratës që do të shkojë në shtëpi për të punuar nga shtëpia, ne i japim menjëherë leje për të shkuar në shtëpi.”
Kryeministri tha se Shqipëria nuk është ende në atë situatë sa të ndalohen të gjitha aktivitetet dhe të mbyllet çdo gjë, përfshirë dhe lokalet e restorantet, por i kërkoi njerëzve që të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë këshillat e mjekëve.