Nga statuja e Enverit te kërpudha e Ramës, pse edhe pas 29 vitesh vazhdon revolta kundër fasadës

Nga Jonila Godole
Nga statuja e Enverit te kërpudha e Ramës, pse edhe pas 29 vitesh vazhdon revolta kundër fasadës

Kur turmës së zemëruar të protestuesve që ishte nisur fillimisht nga Qyteti Studenti për te Blloku që të përballej me Ramiz Alinë dhe shpurën e tij, më 20 shkurt 1991, ia devijuan rrugën drejt sheshit “Skënderbej”, shumë pak njerëz patën kohë të analizojnë manovrën e qëllimtë. Revolta qytetare duhet të shfryhej mbi statujën prej bronzi, duke e kanalizuar gjithë urrejtjen e tyre te figura historike e “udhëheqësit”. Pasardhësi dhe Byroja Politike duhet të kalonin në plan të dytë nëse nuk donin të kishin fatin e Çausheskut.

Statuja e Hoxhës jo vetëm u rrëzua me dhunë në atë ditë të ftohtë shkurti, por edhe u tërhoq zvarrë, u përçudnua, gati u çnderua me të njëjtin entuziazëm, sa entuziazmi i turmës që pak vite më parë i kishte puthur këmbët statujës kur ishte vendosur në shesh. Në analet e historisë së tranzicionit, ky moment ka hyrë si akti simbolik i rrëzimit të një regjimi totalitar, që i lau duart me gjakun e bashkëkombësve të tij. Historia e ka vërtetuar shpesh skenarin e mësipërm. Vetëm se shekuj më parë, turmat e pakënaqura sulmonin “bastionet” e pushtetit: Bastinë (1789), pallatin dimëror në Shën Petersburg (1917) dhe jo statujat. Rrëzimi i tyre duket se ka ardhur më vonë dhe ka lulëzuar sidomos në vendet ish-komuniste, duke shënjuar simbolikën e “rënies së regjimeve komuniste”. Më 1991, në Berlin-Friedrichshain, statujës së Leninit fillimisht do t’i këpusnin kokën, pastaj do ta groposnin me ceremoni bashkë me pjesët e tjera të trupit. Edhe “Leninët” apo “Stalinët” në Bukuresht, Budapest, Tiranë etj., do të kishin fate të ngjashme. Vetëm Gjermania Lindore do të shembte jo thjesht simbolikisht, një Mur (Berlin, 9.11.1989)!

Gati tri dekada më vonë, rasti i statujës së Hoxhës ngre pikëpyetje të mëdha: Si ka mundësi që dishepulli Alia, i cili në fund të viteve 1980, kur socializmit po i dilte boja gjithandej, linte porosira si të mbroheshin statujat dhe bustet e Stalinit dhe Leninit nga sulme të mundshme qytetare dhe nuk u kujdes të mbronte Mjeshtrin e tij? Si ka mundësi që kordoni i Policisë që donte të ruante Bllokun, nuk kishte plan B për shtatoren e Hoxhës? Si ka mundësi që statuja e lartë dhe e rëndë të rrëzohej aq lehtë nga protestuesit, që për ironi nuk përdorën ndonjë nga kavot e çelikut që prodhonte uzina me emrin e tij, por një litar të zakonshëm, nga ata që njerëzia lidh gomarin për peme. A mos ishte e planifikuar rënia e statujës që kalimi i moderuar i pushtetit të shitej si një “akt” rebelimi i kryer nga poshtë, pra, nga populli? Këto pyetje vështirë se mund të gjejnë një përgjigje sot, kur për tri dekada është investuar pafundësisht për të fshehur dhe jo për ta zbardhur historinë. Presim nga historianët e rinj që të hedhin një dritë neutrale mbi zhvillimet e asaj kohe. Megjithatë, plani i sajuar për të zhvendosur turmën nga Blloku te sheshi, ka funksionuar për mrekulli. Zemërata popullore duhet të përplasej kundër individit, jo institucionit dhe pushtetit që ai përfaqësonte. Blloku, si instancë qendrore e grumbullimit të pushtetit politik dhe ekonomik, shpëtoi.

Me largimin e “Udhëheqësit” nga hapësira publike u mendua se do të binte edhe simbolika që lidhej me të dhe do të zhdukej përmes një akti radikal nga kujtesa kolektive. Por, sado që statuja ra, hija e tij mbeti, madje ende sot vazhdon të qëndrojë e shtrirë kudo. Vendi ku dikur qëndronte statuja, sot është ende bosh. Sheshi është “i mbishkruar”, por jo i zbrazët dhe na tregon se plani për ta “mallkuar” diktatorin publikisht me një damnatio memoriae (duke i hequr për sy e faqe emrin institucioneve, rrugëve, veprave të partisë etj.) synonte në fakt diçka krejt tjetër, të siguronte afatgjatë kujtesën kolektive për të. Ndërkohë që viktimat e regjimit enverist mbeten pa monument, pa u bërë pjesë e identitetit dhe kujtesës sonë.

Rrëzimi me dhunë i simboleve vazhdon të konsiderohet si një legjitimim i ngadhënjimit mbi të keqen dhe si një çlirim kolektiv. Metafora e rrëzimit të “statujës” mbetet ende aktuale, siç u pa disa ditë më parë, kur “kërpudha” kryeministrore u shkatërrua nga protestues të zemëruar. Mesazhi i shkatërrimit të “kërpudhës” (si simbol i estetizimit të fasadës politike) druaj se ngjason me rrëzimin e statujës vetëm në atë pikë: Që edhe pas 29 vitesh, revolta qytetare mbetet ende një revoltë kundër fasadës dhe formës, por pa prekur thelbin e sistemit. Edhe pse sistemi politik që kemi krijuar e ushqyer është kthyer në një sistem autik që nuk reagon, prapëseprapë, me të gjitha mjetet që ne si qytetarë zotërojmë (votën, apelimin, edukimin, protestën dhe përfshirjen në vendimmarrje) duhet të gjejmë mënyrën që të depërtojmë në zemër të sistemit për ta ndryshuar atë.


Publikuar më parë tek Panorama.com.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>