
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi takoi të martën ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci në kuadër të hapjes së Javës Italiane në Gjirokastër.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se takimi kishte në fokus bashkëpunimin mes dy vendeve për të promovuar trashëgiminë kulturore.
“Së bashku ndoqëm ecurinë e projekteve të nisura për rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”, rehabilitimin e rrjetit të ndriçimit publik në qytet si dhe ndërtimin e mjediseve argëtuese për fëmijët. Thelbi i marrëdhënies dypalëshe do të jetë zbatimi i projekteve të përbashkëta, në zhvillimin turistik dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”.
Ai njoftoi hapjen e “Casa d ‘Italia” në Gjirokastër, një qendër për njohjen e të rinjve me gjuhën dhe kulturën e këtij vendi.
Java e Gjuhës Italiane zhvillohet çdo vit në datat 19 deri 25 tetor me qëllim përhapjen e kësaj gjuhe e kulture në mbarë botën.