Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë mbledhur sot grupet parlamentare për të vendosur shtyllat kryesore ku do të fokusohen gjatë sesionit të ri parlamentar.
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes me Kryesinë e PS-së, vendosi grupin strategjik për zgjedhjet vendore 2019 dhe planin që do të ndjekë këto muaj.
Grupi strategjik i zgjedhjeve do të përbëhet nga Blerina Gjylameti, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Bledi Çuçi, Erion Veliaj, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla.
Kryetari i grupit parlamentar socialist,Taulant Balla, tha se mazhoranca është e gatshme për dialog dhe komunikim me opozitën për të zgjidhur ngërçet e krijuara në parlament.
PS njoftoi se do të nisë një fushatë kombëtare të anëtarësimeve të reja në PS dhe do t’i rikthehet dëgjesave me qytetarët në çdo qytet të vendit, taktikë tashmë e përsëritur çdo vit elektoral.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PD-së tha se tre shtyllat kryesore ku do të fokusohet opozita do të jenë: situate e rendit dhe krimit, ekonomika dhe reforma në drejtësi:
“Çlirimi i qeverisjes nga krimi është prioritet mbi gjithçka. Bashkëqeverisja e Ramës me krimin po shkatërron gjithçka.”
Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, po ashtu, njoftoi moton e LSI-së për këtë sesion të ri parlamentar:
“Tolerancë zero ndaj hajdutërisë dhe kriminalitetit shtetëror që ka ozurpuar vendin dhe luftë pa kompromis me çdo mjet demokratik, të gjithë forcën e duhur të politikës dhe qytetarëve për të ndaluar këtë hordhi që po e shkatërron vendin në mënyrë të pakthyeshme”.