Bashkimi Europian ka nisur programin e vaksinimit kundër COVID-19 të dielën në përpjekje për t’i dhënë fund një pandemie që ka dëmtuar ekonomitë dhe ka marrë më shumë se 1.7 milion jetë në të gjithë botën.
Rajoni me 450 milionë banorë ka siguruar kontrata me një sërë furnitorësh për mbi dy miliardë doza vaksinash dhe ka vendosur objektivin për të vaksinuar të gjithë të rriturit gjatë vitit 2021.
Me sondazhet që tregojnë nivelet e larta të hezitimit ndaj vaksinës në vendet nga Franca në Poloni, udhëheqësit e Bashkimit Evropian me 27 vende po e promovojnë atë si shansi më i mirë për t’u rikthyer në diçka si jeta normale vitin e ardhshëm, raporton Reuters.
“Vaksinimi është rruga e qëndrueshme për të dalë nga pandemia.”, shkroi në tuiter Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Pasi qeveritë evropiane u kritikuan për dështimin për të punuar së bashku për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në fillim të vitit 2020, qëllimi kësaj radhe është të sigurojë që të ketë qasje të barabartë në vaksinat në të gjithë rajonin.
Vendet duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Portugalinë dhe Spanjën po planifikojnë të fillojnë vaksinimet masive të dielën, duke filluar me punonjësit shëndetësorë. Jashtë BE, Britania, Zvicra dhe Serbia tashmë kanë filluar vaksinimet në javët e fundit.
Shpërndarja e vaksinës Pfizer-BioNTech paraqet sfida të vështira pasi vaksina përdor teknologji të re mARN dhe duhet të ruhet në temperatura shumë të ulta prej rreth -80 gradë Celsius.