Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftoi të premten se njerëzit plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë. Ky vendim hap udhëtimet jo të domosdoshme për të paktën 100 milionë amerikanë, sipas medias amerikane ABC News.
Udhëzimi i ri CDC specifikon se gjyshërit e vaksinuar mund të udhëtojnë për të takuar nipërit dhe mbesat.
Përfaqësuesit e linjave ajrore kryesore amerikane si American Airlines, Delta Air Lines, United Airlines, Southwest Airlines i kerkuan CDC më 22 mars të përditësojë udhëzimet e saj për lejimin e nisjes së udhëtimeve jo të domosdoshme për “individët e vaksinuar”.
Udhëzimi i ri gjithashtu do të thotë se njerëzit plotësisht të vaksinuar nuk kanë nevojë të bëjnë një test Covid-19 para ose pas udhëtimit dhe nuk kanë nevojë të vetë-karantinohen pas udhëtimit.
CDC tha se gjyshërit që janë vaksinuar plotësisht mund të fluturojnë për të vizituar të afërmit pa kryer më parë një test Covid-19 ose vetë-karantinim për sa kohë që ata ndjekin këshillat e CDC për të udhëtuar të sigurt.
“Vaksinat mund të na ndihmojnë të kthehemi në jetën normale, kështu që ne inkurajojmë çdo amerikan që të vaksinohet sa më shpejt që të ketë mundësinë,” tha drejtoresha e CDC Rochelle Walensky në një deklaratë
Udhëzimi i ri i CDC thotë se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë për teste Covid-19 para udhëtimit ndërkombëtar përveç nëse kërkohet nga destinacioni ndërkombëtar dhe personat e vaksinuar që kthehen nga udhëtimet e huaja nuk kanë nevojë të vetë-karantinohen pasi të kthehen në Shtetet e Bashkuara, përveç nëse kërkohet nga autoritetet shtetërore ose lokale.