Një angleze e dëshpëruar për familjet e Bregut të Lumit

Një angleze e dëshpëruar për familjet e Bregut të Lumit

Laura Kite është një 20 vjeçare nga Leamington i Anglisë e cila, shtatorin e shkuar, punoi si vullnetare në një qendër për fëmijët në nevojë në Tiranë.

Gjatë asaj kohe, ajo pa varfërinë ekstreme të shumë familjeve shqiptare, që jetonin në kasolle dhe mbijetonin me vetëm një vakt në ditë.

Ajo tani studion në Universitetin e Birminghamit, por ka mbajtur kontakt të vazhdueshëm me njerëzit që njohu në Shqipëri. Për asnjë moment ajo nuk i harroi fëmijët, të cilët, thotë, se i ndryshuan jetën, veçanërisht fëmijët romë që jetojnë në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë.

“Puna në Shqipëri ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme që të ndryshon jetën. Një pjesë e njerëzve që kam takuar jetojnë në shtëpi të cilat praktikisht janë të ndërtuara nga mbetjet urbane dhe komuniteti i tyre jeton në breg të lumit. Kur punon atje e kupton se sa pak ndihmë marrin ata nga qeveria dhe në ndodhi të tilla si përmbytjet ata janë praktikisht të braktisur,” – i ka thënë ajo gazetës lokale të Leamingtonit.

Pasi dëgjoi lajmin e përmbytjeve të fillim janarit në Tiranë, 20 vjeçarja mendoi menjëherë për gjendjen e dëshpëruar ku mund të gjendeshin familjet e Bregut të Lumit. Pa shumë shpresë tek ndihma e qeverisë për ta, ajo nisi menjëherë të bëjë thirrje për ndihma në komunitetin ku jeton në Angli.

Ndihmat e mbledhuara do të përdoren për të blerë tenda ushtarake për të strehuar përkohësisht familjet e mbetura pa shtëpi, si dhe për ushqim.

“Këta fëmijë vërtet më kanë ndryshuar jetën dhe unë dua ti ndihmoj me çdo mënyrë të mundshme. Unë kam lënë një pjesë të zemrës time me ta në Shqipëri dhe me zor pres ti shoh përsëri”- është shprehur Laura.

Laura ka në plan të kthehet në Shqipëri nga fundi i këtij viti për t’i ndihmuar përsëri fëmijët që ajo takoi vitin e shkuar.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>