Kompania francezë ‘Voltalia’ do të ndërtojë parkun fotovoltaik të Karavastasë, për prodhimin energjisë elektrike përmes paneleve diellore.
Ajo u shpall fituese nga qeveria e ankandit ndërkombëtar dhe kryeministri Rama e prezantoi të mërkurën projektin.
Ankandi u hap në janar 2020 dhe kompanitë kanë pasur afat të aplikojnë deri në 16 mars.
Në garë morën pjesë 30 kompani të huaja dhe fituese u shpall ‘Voltalia’ me çmimin prej 24.89 euro për megavat.
Sipas ministres së Infrastrukturës Balluku, kjo ofertë është e jashtëzakonshme:
“Ky është një çmim rekord për të gjitha parqet energjetike. Oferta është e jashtëzakonshme.”
Ndërsa Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë të mirë për ekonominë shqiptare. sepse ky është një investim i huaj që do të investojë në Shqipëri më shumë se 100 milionë euro.
Parku fotovoltaik i Karavastasë do të jetë i dytë në vend pas atij të Akërnisë, tenderi për të cilin është bërë që në vitin 2018. Por punimet në Akërni nuk kanë nisur ende për shkak të negociatave ende të papërfunduara me kompanitë fituese.
Kompania ‘Voltalia’ është themeluar në vitin 2005 në Francë dhe është e fokusuar në sektorin e energjisë së rinovueshme, të diellit, erës e ujit.