Kur mora këtë ftesë që t’ju drejtosha shkurtimisht sot, pyetja e parë që i bëra vetes ishte se për çfarë arsyesh duhet të vija. Katër arsye që lidhen me njëra tjetrën, mu dukën të mjaftueshme që të vija të merrja fjalën para jush.
Arsyeja e parë është rëndësia e këtij tubimi – mbrojtja e Kushtetetutës. Më lejoni t’ju them se si e shoh unë – unë nuk kam ardhur t’ju them se në debatin President-maxhorancë ka të drejtë njëri apo tjetri. Nuk është as roli im as vendi. Por ajo që dua t’ju them është që debati Presidencë-maxhorancë për interpretimin e Kushtetutës nxjerr në pah një problem tjetër shumë më të madh – atë që pa një Gjykatë Kushtetuese të pavarur dhe të zgjedhur në përputhje më ligjin, Kushtetuta ngelet në fakt veçse një letër pa kuptim.
Pa një Gjykatë që të imponojë zbatimin e Kushtetutës nuk kemi më forcën e ligjit që vepron, por ligjin e forcës, përfshirë edhe në interpretimin e Kushtetutës, që nga data e zgjedhjeve deri te betimi i gjyqtarëve, madje përpiqemi ti imponohemi edhe Komisionit të Venecias.
Kjo më çon te arsyeja e dytë – në një vend ku as Presidenti nuk ka mundësi që pretendimet e tij tia paraqesë për shqyrtim një organi të pavarur për interpretim, imagjinoni çfarë mundësish kanë qytetaret e thjeshtë të pretendojnë mbrotjen e lirive dhe dhe të të drejtave të tyre kur jua kërcënon qeveria. Ka nga ata që thonë që qëllimi i këtij tubimi është për pushtet, të ketij apo të atij politikani.
Unë kam ardhur të them që qëllimi është vërtetë për pushtet, por për pushtetin kushtetues që çdo njeri brenda këtij vendi të ketë të drejte të ankohet në gjykata të pavarura kundër abuzimit, shkeljes së ligjit dhe të lirive. Duke fshirë funksionin gjyqësor ky pushtet ju është marrë. Ky është pushteti më i rëndesishëm në një shtet ligjor.
Çfarë emri i vihet kësaj situate – nuk mund ta shpjegoja më mirë se duke iu referuar nënkryetarit të Gjykatës së Strasbourgut, Robert Spano, i cili 10 ditë më parë në një fjalim në Londër shprehej: “Pushteti i pakontrolluar i shumicës, që nuk merr parasysh interesat e pakicës, rrezikon të bjerë në autoritarizëm. Me pak fjalë, zgjedhjet nuk krijojnë plotfuqi.” Robert Spano nuk e ka thënë këtë veçanërisht për Shqipërinë, por më gjeni një vend tjetër në Evropë ku ky mesazh alarmi të ketë më shumë kuptim sesa për situatën në Shqipëri.
Në vitin 1986 në çështjen e Partisë së Gjelber kundër Parlamentit Evropian (Çështja 294/83, vendim i 23.4.1986 Gjykata e Bashkimit Evropian – në atë kohë e Komuniteteve Europiane) shprehej se “bashkësia evropiane është një bashkësi e së drejtës, përderisa as shtetet as institucionet evropiane nuk i shpëtojnë kontrollit të pajtueshmërisë së akteve të tyre me kartën kushtetuese”.
Në Shqipëri ka më shumë se dy vjet që aktet e qeverisë dhe të parlamentit nuk kontrollohen dot nga askush, as kur shkelen liritë, as kur mohohen të drejtat. Po ju pyes ju, dhe po pyes edhe përfaqësuesit e vendeve dhe të institucioneve të BE-së në Tiranë – a mund të themi se kemi bashkësi ose shtet të së drejtës në Shqipëri në këto kushte?
Arsyeja e katërt që më shtyu të vija ishte pyetja që i bëra vetes: në këtë situatë absurdi kushtetues, ku nuk ka gjykata që të interpretojnë ligjin dhe të kontrollojnë shkeljet e tij, aq më tepër në një kohë kur stina e protestave kundër kapjes se gjyqësorit ka shpërthyer edhe në vende të tjera të Evropës, si në Poloni, Hungari etj, si do të reagojnë bashkëkombasit e mi?
Isha i shqetësuar për këtë reagim sepse më kujtohej një shprehje e një prej juristëve më të njohur të shekullit XX (René Cassin) i cili thoshte se “një popull që fle në demokraci, ka rrezik që një ditë të zgjohet në diktaturë”. Po kur ju shoh sot gëzohem që një thirrje për të mborjtur Kushtetutën dhe liritë gjen këtë lloj reagimi prej jush dhe them se vlerat e këtij kombi për liri dhe demokraci janë ende zgjuar.
Kur ju shoh, gjej edhe një arsye shtesë – madje më kryesoren, për të cilën them se bëra shumë mirë që erdha sot në Tiranë – kjo arsye jeni ju dhe thirrjet tuaja për liri, demokraci dhe institucione të pavarura sipas Kushtetutës, pa të cilat liria dhe demokracia vdesin.
Mund t’ju përshendes duke ju uruar Zoti qoftë me ju! Po Kjo varet nga Zoti, po në qoftë se ju uroj: Liria dhe e drejta qoftë me ju dijeni që kjo varet vetëm nga ju!