Një tjetër gazetare kërcënohet me jetë për shkak të punës së saj

Një tjetër gazetare kërcënohet me jetë për shkak të punës së saj

Dje, autorja e emisionit investigativ ‘BOOM’ në televizionin Ora News, Fiori Dardha u kërcënua. Kërcënimi ka ardhur nga një person që është paraqitur si ish-kryetari i komunës Perondi, Rexhep Hajdari.

Emisioni ‘BOOM’ për dy ditë me radhë ka trajtuar çështjen e një ankandi të zhvilluar në vitin 2012. Sipas dëshmive të banorëve, ky ankand për dhënien e tokave me qira për 99 vjet, ka futur në konflikt një fshat. Ish-kryetari i komunës Perondi, Rexhep Hajdari ka qenë në krye të bordit të dhënies së tokave me qira.

Ky është i disati rast që gazetarët në Shqipëri kërcënohen për shkak të punës së tyre. Rastet e fundit janë:

Në mars 2019, gazetares britanike Alice Elizabeth Taylor iu mohua leja e qëndrimit në Shqipëri, pasi komentoi në median e huaj korrupsionin dhe veprimet abuzive të qeverisë shqiptare.

Më 30 gusht 2018, u qëllua me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së prindërve të gazetares investigative Klodiana Lala. Deri më tani nuk dihen se kush janë autorët e ngjarjes. Por në një postim në Facebook gazetarja Lala u shpreh se sulmi është i lidhur me punën e saj si gazetare.

Më 3 shtator 2018, Julian Shota, korespondenti i Report TV u kërcënua me armë në kokë dhe nuk u lejua të raportonte mbi shpërthimin e ndodhur në një bar-kafe në Laç, nga vetë pronari i lokalit. Policia ka shoqëruar në komisariat pronarin e lokalit, por e ka lënë të lirë më pas.

Më 26 maj, Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike” Blendi Kasmi u godit nga policia gjatë protestës së opozitës.

Në maj 2017, gazetari i emisionit investigativ Genci Angjellari u sulmua fizikisht nga administratorja e kompanisë “Euroteam”, teksa gazetari po bënte një kronikë për ndotjen mjedisore që kompania shkaktonte në fshatin Stërmas të Tiranës.

Në maj 2016, gazetari i Telesport Eduard Ilnica u godit nga një grup prej 6-7 personash.  Nga agresorët e shumtë, gazetari Ilnica njohu vetëm presidentin e Kastriotit, Alban Vogli.

Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) dhe Këshilli i Evropës i ka denoncuar vazhdimisht këto sulme, por qeveria shqiptare në asnjë prej rasteve nuk ka vepruar në mbrojtje të gazetarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>