Njeriu i ri i tranzicionit

Nga Karl Kuci
Njeriu i ri i tranzicionit

Një grup qytetarësh mjaftueshëm të ushqyer treguan publikisht solidaritetin e tyre me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke pritur për orë të tëra para shtëpisë së tij dhe përpara ndërtesës së Kuvendit e duke bërtitur e brohoritur të entuziazmuar sa herë që ai shfaqej para tyre.

Fakti se prokuroria ka kërkuar arrestimin e tij për trafik të lëndëve narkotike, si pjesëmarrës në një grup të strukturuar kriminal (përcaktimi ndërkombëtar për shoqërim mafioz), dukej që nuk i trazonte fare.

Për ta nuk ka asnjë vlerë fakti se ish-ministri, ndërsa ishte në detyrë, ka qënë i shoqëruar me kushurinj, qofshin të largët, që trafikonin drogë dhe kallashnikovë për familjet mafioze siciliane; as fakti se e ka filluar detyrën e tij ministrore me luftën kundër lojrave të fatit, e cila përfundoi në një flluskë shumë konfuze; as fakti se ka shitur makinën e tij lluksoze në të zezë, duke kryer evazion fiskal dhe duke ju shmangur drejtësisë për t’i shpëtuar sekuestrimit ligjor për sendet e tij personale; as fakti se i gjithë vendi e di se policia e tij është përzierë gjerësisht me narkotrafikantë, pa asnjë reagim prej tij; as fakti se ai ka arrestuar qindra persona që nuk kishin paguar energjinë elektrike apo taksat, apo kishin kryer ndonjë ndërtim të vogël të pa autorizuar; as fakti se gjatë mandatit të tij Shqipëria u hyri në shtëpitë e gjithë botës, përmes gazetave, si eksportuese e marijuanës.

Edi Rama e ka quajtur ministrin më të mirë në histori, dhe i tillë ka mbetur ai në zemrat e mbështetësve të tij—të gjithë qetësisht të gatshëm të betohen se bëhet fjalë vetëm për një lëvizje politike për të rrëzuar qeverinë, pra, nuk ka asgjë serioze.

Akuzat ndaj Tahirit i ka bërë një i kërkuar nga drejtësia, thoshte dje prerazi Rama duke ju referuar Dritan Zaganit. Këtë thotë sot me qetësi të ftohtë edhe pasardhësi i Tahirit, Fatmir Xhafaj—të paktën ky i fundit ka arsye të sinqerta për t’u ndjerë solidar.

As e vetëshpallura opozitë e bashkuar, pra ata që kanë mbetur jashtë pushtetit, nuk duket shumë e tronditur nga zbulimet. Më tepër, duket e lumtur se arrestimi i Tahirit u jep atyre mundësinë të ankohen nëpër studio televizive se problemi i vërtetë është që paratë e drogës së Tahirit janë përdorur për të blerë vota.

Sepse ky është problemi i vërtetë, si për mbështetësit e qeverisë që manifestojnë poshtë shtëpisë së Tahirit, ashtu edhe për përfaqësuesit e opozitës së bashkuar. Pushteti. Jo droga, jo kriminaliteti.

Ish-ministri nuk shihet si i padenjë për ndonjë gjë tjetër, por vetëm sepse ka mashtruar për të mbajtur pushtetin.

Është portreti i një shoqërie tashmë tërësisht të mësuar me të keqen, e cila ka humbur çdo lloj ndjeshëmrie dhe nuk ndjen më asnjë dhimbje. Të një shoqërie të dorëzuar t’u lërë fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve një të ardhme prostitutash apo të droguarish, pa ndjerë fare dhimbje që ka ndërtuar një botë të bazuar vetëm në krim, në dhunë, në luftën për një pushtet mafioz pa asnjë projekt—një botë pa dinjitet dhe pa të ardhme.

Është portreti i “qytetarëve” të rinj, të privuar nga çdo rregull dhe e drejtë, të stërvitur t’i nënshtrohen çdo shtypësi, të motivuar nga grykësia e papërmbajtur, të pandjeshëm ndaj çdo zemërrrahje dashurore, pa respekt, pa dinjitet.

Është njeriu i ri, të cilin nuk ja doli dot ta krijonte komunizmi, por ja doli mrekullisht tranzicioni.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>