
Nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën janë të detyruar të mbajnë maska në pjesën më të madhe të ambienteve të shkollës.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar se nxënëse nga klasa e parë deri në klasë të katërt u rekomandohet të mbahet maska në klasë, por në të gjithë ambientet e tjera të shkollës janë të detyruar ta mbajnë atë.
Ndërsa të gjithë nxënësit nga klasa e pestë deri në të nëntën janë të detyryar të mbajnë maskë kudo, dhe brenda në klasë.
Po ashtu dhe mësuesit dhe personeli i shkollës do të duhet të mbajnë maskë gjatë gjithë orarit zyrtar të mësimit.
Më herët Ministria e Arsimit ka publikuar protokollet e sigurisë që do të zbatohen nga nxënësit dhe mësuesit gjatë rikthimit në klasa, për vitin e ri shkollor.
Siç Exit News ka shkruar dhe më parë, ministria rekomandon mbajtjen e maskave nga nxënësit dhe stafi i shkollës, si dhe vendosjen e dezinfektantëve në ambiente të ndryshme të shkollës, por nuk përcakton se kush do t’i mundësojë këto mjete.
Pra, është ende e paqartë nëse nxënësit duhet të pajisen me maska dhe dezinfektantë nga familjet e tyre, apo nëse këto do të mundësohen nga shkolla.