Suedia mund të shërbejë si një model për vendet që po dalin nga masat ndaluese të Covid-19, deklaroi drejtori teknik i OBSH-së Ryan në një komunikim për shtyp më 29 prill.
“Nëse jemi duke shkuar drejt jetës normale, në shumë mënyra Suedia paraqet një model të ardhshëm”, tha ai.
Suksesi i strategjisë së Suedisë, sipas Ryan bazohet tek besimi se qytetarët do t’i zbatojnë masat e distancimit social, komunikimi i qartë, rritja e kapaciteteve të reanimacionit, rregullat e forta të distancimit social dhe masat mbrojtëse në shtëpitë e të moshuarve.
Por, sërish Ryan tha se duhet pasur kujdes tek strategjia e Suedisë sepse “mbetet ende për tu parë nëse strategjia e saj do të jetë e suksesshme ose jo.” Ai tha se “edhe në Suedi sot që flasim Kryeministri më lajmëroi për masa të forta të marra për të ndaluar përhapjen e virusit”.
Drejtoresha e programit të emergjencës shëndetësore në OBSH tha se vetëm një pjesë e vogël e popullsisë ka antitrupa, ndaj kthimi i një vale të dytë te virusi është shumë i mundshëm. Ajo tha se vetëm distancimi social mund të ndalojë një skenar të tillë.
“Nëse ne duam të kthehemi sërish në një shoqëri në të cilën nuk ka më masa ndaluese, atëherë shoqëria duhet të përshtatet të zbatojë distancimin social në afatgjatë për të ulur praninë e virusit. Virusi do të jetë i pranishëm në jetën tonë, dhe ne duhet të zbatojmë rregullat e distancimit social për një kohë të gjatë”, tha ajo.
Suedia po shihet me vëmendje nga të gjitha vendet e botës për mënyrën se si po përballet me Covid-19. Suedia nuk ka zbatuar asnjë nga masat ndaluese të marra në të gjithë botën.
Qeveria suedeze ka lënë hapur baret, restorantet dhe shkollat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç. Vendi ka ndaluar vetëm grumbullimet me mbi 50 persona.