Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije të premten se efekti i dozës së tretë, përforcuese, të vaksinave Covid-19 mbetet i paqartë.
“Nuk e dimë ende nëse vaksinat përforcuese do të jenë të nevojshme për mbrojtjen kundër Covid-19 derisa të mblidhen të dhëna shtesë, por mundësia është duke u shqyrtuar nga studiuesit,” deklaroi OBSH-ja për Reuters.
Madje, sipas tyre, edhe jetëgjatësia e mbrojtjes nga dy dozat që ofrohen aktualisht ishte në pikëpyetje.
“Ka të dhëna të kufizuara në dispozicion mbi sa kohë zgjat mbrojtja nga dozat aktuale të vaksinës Covid-19 dhe nëse një dozë shtesë përforcuese do të ishte e dobishme, si dhe për kë,” shtoi OBSH-ja.
Deklarata e OBSH-së vjen në momentin që shumë vende, me përhapjen e variantit tepër infektiv, Delta, po planifikojnë administrimin e një dozë të tretë. Ndërkohë, kompania Pfizer njoftoi të premten se do të kërkojë autorizimin e dozës përforcuese nga rregullatorët amerikanë, brenda muajit të ardhshëm.
Zyrtari i Pfizer, Mikael Dolsten, u shpreh se studimet e vetë kompanisë tregojnë se një dozë e tretë përforcuese gjeneron nivele pesë deri në dhjetëfish më të larta të antitrupave se doza e dytë.
Sipas Pfizer, të dhënat e deritanishme sugjerojnë se mbrojtja, që dozat aktuale ofrojnë, nuk shkon më shumë se gjashtë muaj.
“Siç shihet në të dhënat e botës reale, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë e Izraelit, efikasiteti i vaksinës në parandalimin e infeksionit dhe sëmundjes simptomatike, ka rënë gjashtë muaj pas vaksinimit, megjithëse efikasiteti në parandalimin e sëmundjeve të rënda mbetet i lartë,” tha Pfizer.
Por Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kundërshtuan të dhënat e Pfizer, duke deklaruar se amerikanët që janë vaksinuar plotësisht, nuk kanë nevojë për dozë përforcuese.
Ashtu si OBSH-ja, edhe ato mendojnë se të dhënat shkencore janë të pamjaftueshme për të mbështetur pretendimin se doza e tretë ofron mbrojtje më të fuqishme ndaj Covid-19.