OBSH klasifikon në rrezik më të lartë përhapjen e koronavirusit në botë

Nga Exit News
OBSH klasifikon në rrezik më të lartë përhapjen e koronavirusit në botë

Rritja me nivele shqetësuese e rasteve të infektuara me koronavirus bëri që sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të rrisë klasifikimin e rrezikshmërisë së përhapjes në nivel më të lartë.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha:

“Kemi rritur vlerësimin tonë për rrezikun e përhapjes dhe rrezikun e ndikimit të COVID-19 në nivelin e lartë global. Nuk shohim ende prova se virusi po përhapet lirshëm, për sa kohë kemi këtë gjendje kemi ende mundësi për ta frenuar. Për ta bërë këtë çelësi është ndalimi i rrugëve të përhapjes”.

Megjithatë OBSH nuk e konsideroi situatën në nivel pandemie, nivel i cili konsideron, pa përjashtim, të vënë në rrezik të gjithë njerëzit në botë.

Ghebreyesus tha se armik kryesor mbetet përhapja e stigmave dhe lajmeve të pavërteta rreth sëmundjes që shkakton virusi. Këto sjellin si pasojë frikësimin e qytetarëve dhe zbehjen e solidaritetit për të vepruar.

OBSH thotë se ka më shumë se 20 vaksina që po zhvillohen në klinika të ndryshme dhe rezultatet e para priten javët e ardhshme.

Të premten e ardhshme Ministrat e Shëndetësisë së Bashkimit Evropian pritet të zhvillojnë një takim të përbashkët për të diskutuar rreth masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Takim i ngjashëm u zhvillua 2 javë më parë. Asokohe ende nuk ishte pikasur rasti i parë me koronavirus në Itali. Ndërkohë që 7 ditët e fundit të prekurit në Itali kanë shkuar në mbi 650, ndërsa përhapja ka prekur 17 shtete të Evropës.

Në Shqipëri qeveria ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe ka kryer në total 23 testime, të cilat kanë rezultuar të gjitha negative.

Sipas raportit të së premtes, rreth 82 900 persona janë prekur nga virusi (78,832 në Kinë), 36 861 janë shëruar dhe 2 869 kanë humbur jetën (mbi 2,788 në Kinë).

Për t’u informuar më tepër rreth koronavirusit lexoni:

–  9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi
Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin
Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>