Oligarkia, njësoj si mafia, nuk ekziston!

Nga Karlo Kuçi
Oligarkia, njësoj si mafia, nuk ekziston!

Oligark është një njeri shumë i pasur dhe i fuqishëm, i cili ka aftësi të madhe për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejt mbi politikën, administratën dhe median, të cilin e përdor për të mbrojtur e thelluar interesat e tij private, jo domosdoshmërish të paligjshme, deri në pikën as arrin të orinetojë politikat dhe veprimet e qeverisë në favor të biznesit të tij në vend të interesit të përbashkët. Ai ka edhe pushtetin të kontrollojë apo ndalojë përhapjen e informacionit dhe lajmeve që do të krijonin vetëdije të publike për këtë shtrembërim të politikave publike, çfarë mund të çonte në prishjen e mirëkuptimit politik në favor të tij dhe për rrjedhojë do të pengonte aktivitetin e tij ekonomik.

Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një demonstrimi të përsosur se çfarë është dhe si funksionon mekanizmi i oligarkisë, dhe se si oligarkia, kur fuqizohet mjaftueshëm, bëhet shumë e rrezikshme për demokracinë dhe për të drejtat e qytetarëve të një vendi të tërë.

Gjatë dy javëve të fundit iu bë jehonë e gjerë në të gjitha mediat shqiptare çështja e imponimit të një tarife të lartë në Rrugën e Kombit, protestat pasuese të qytetarëve të zonës së Kukësit dhe Hasit, arrestimi i tyre në shkelje të ligjit dhe procedurave, zhvillimi i seancës së shqyrtimit të masës së sigurisë pas afateve të parashikuara nga ligji, polemika mbi mekanizmat e marrjes së koncesionit, duke krijuar shqetësim jo të vogël për qeverinë shqiptare.

Madje edhe në mediat sociale, ndoshta për herë të parë në Shqipëri, u shfaq një fushatë e cila ftonte qytetarët të bojkotonin produktin kryesor të një nga dy kompanive koncesionare, pra të mos blinin karburantin e kësaj firme. Kjo është një mënyrë, jo e paligjshme, që përdoret gjerësisht në botën perëndimore, madje edhe në rastet e përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të grupeve të caktuara, apo të konsumatorëve.

Por menjëhere pas këtij mbulimi mediatik dhe reagimi publik, koncesionari i Rrugës së Kombit, filloi të ofronte buxhete të majme për reklama në televizione, gazeta, blogje, portale të informimit dhe kundërinformimit. Ky është një veprim jo i paligjshëm nëse shoqërohet me fatura të rregullta dhe të ndershme për transmetimin e mesazheve reklamuese.

Dhe me të vërtetë, në pothuajse të gjitha televizionet shqiptare u shfaq një fushatë e tepruar reklamuese për karburantet Kastrati. Edhe ky është fakt nuk është i paligjshëm.

Menjëherë me fushatën, si me magji, çështja e vendosjes së tarifës së Rrugës së Kombit, e incidenteve që pasuan vendosjen e saj, e abuzimeve me tenderin e koncesionit, e abuzimeve me procesin ndaj protestuesve, u zhdukën tërësisht nga media “e lirë” shqiptare.

Madje lajmi i gjyqit aktual penal kundër administratorit italian të kompanisë koncesionare, për mosmirëmbajtje të barrierave anësore të një autostrade në Itali, që çoi në vdekjen e 40 udhëtarëve, lajm i publikuar pak ditë më parë nga Exit.al dhe lehtësisht i verifikueshëm në median italiane, nuk u publikua nga askush.

Po, vërtet nga askush! Sikur të ishte një lajm i parëndësishëm për informimin e opinionit publik.

Ky nuk është faji i koncesionarit apo i qeverisë, është thjesht një përgjegjësi e madhe morale e medias shqiptare, e cila është gjithmonë në kërkim të ndonjë përfitimi për të mbuluar ndonjë shpenzim.

Por efekti i këtij qëndrimi të medias është shumë i qartë për të gjithë. Një njeri i vetëm, shumë i pasur, mundi “të fshijë” një lajm të nevojshëm për publikun për të vlerësuar veprimin e qeverisë, veprim i cili është kushtëzuar nga i njëjti pasanik deri në pikën që ka përfituar një tarife shumë të lartë në favor të tij, duke penalizuar në mënyrë të qartë dhe të pajustifikuar një numër të madh qytetarësh.

Oligarku paguan reklamë duke detyruar pronarin e medias të heshtë, dhe kështu qeveria mund të vazhdojë e patrazuar të mbrojë interesat e oligarkëve. Dhe qytetarët, jo shumë të vetëdijshëm, duhet të vazhdojnë të paguajnë më shumë taksa.

Nëse lajmi do të të mbetej në qarkullim, vëmendja publikenuk do të largohej nga kjo temë dhe shkëmbimi oligark-qeveri nuk do të funksiononte aq lehtë sa më parë. Kështu oligarkut mund t’i rrezikohej rishikimi i kontratës së majme, ose qeverisë do t’i rrezikoheshin votat në zgjedhje, ose qeveria do të ekspozohej para vëzhguesve të institucioneve ndërkombëtare.

Nuk është rastësi që në të gjitha sistemet e hapura dhe demokratike ka ligje që parandalojnë këtë shkëmbim ose strukturë të sistemit oligarkik. Prandaj, kjo gjë, të paktën në letër, është një nga temat kryesore të diskutimit politik në botën evropiano-perëndimore, ku ka rregulla që parashikojnë kufizim të pronësisë mbi mediat dhe shtypin, kufizim në përqendrimin e kompanive, ka ligje antitrast, ka institucione mbikëqyrëse së tregjeve dhe të tjera.

E nuk është rastësi që ka organizata ndërkombëtare të konceptuara pikërisht për të ruajtur këtë rol të shtypit si “roje i demokracisë”, pa të cilin konsensusi elektoral, gjithmonë nëse votat numërohen në mënyrë të ndershme, mund të formohet në mënyrë të shtrembër, duke e transformuar gradualisht një sistem demokratik që duhet të qeverisë në interesin e shumicës në një oligarki, pra në një qeveri që mbron interesin e pakicës.

Për këtë arsye është duke u zhvilluar një fushatë e madhe dhe dinake për të treguar se në Shqipëri nuk ekzistojnë oligarkët, njësoj sikurse nuk ekzistojnë problemet e shkaktuara prej tyre.

Kështu thonë edhe ata që bashkëpunojnë me Mafian.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>