Aktivistë të Organizatës Politike (OP) shfrytëzuan sot atmosferën festive për të protestuar në Sheshin Skënderbej për më shumë vëmendje ndaj minatorëve.
Ata ngritën banderolë me mbishkrimin “Samir Mane shtyp minatorët” në fasadën e Operas dhe Baletit dhe shpërndanë fletë me mbishkrime “Samir Mane vodhi festat e minatorëve”. Sipas një postimi në Facebook nga OP:
“Për minatorët e Bulqizës nuk ka festa. Ata janë të hequr nga puna dhe të kërcënuar në masë. Samir Manja ka në xhep të gjithë pushtetarët, por nuk mund t’ua mbyllë gojën qytetarëve të vetëdijshëm të Shqipërisë.
Ne nuk do të lemë gur pa lëvizur dhe sakrificë pa bërë që të vendosim të drejtën e minatorëve në vend dhe luftuar oligarkinë që na ka zënë frymën.”
Prej disa javësh OP ka mbështetur fushatë bojkoti dhe mbishkrimesh mureve të kryeqytetit ku përhapet një qëndrim i tillë kundër zotit Mane. Çështja lidhet me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) e mbështetur nga OP, e cila pak pas formimit të saj akuzoi drejtuesit e kompanisë Albchrome se po shkarkonte punonjë për shkak të angazhimit në sindikatë.
Një prej këtyre shkarkimeve u tha se ishte ai i kryetarit të SMBB-së, Elton Debreshi. Për këto pretendime Zëri i Amerikës raportoi dje se Inspektoriat i Punës kishte nisur hetim administrativ.
E pyetur më parë nga BIRN, AlbChrome ka mohuar që shkarkimet të kishin të bënin me themelimin apo aktivitetin e sindikatës. Kompania pretendon se shkarkimi i Debreshit erdhi pas një paralajmërimi për largim nga puna që i ishte bërë në prill të këtij viti.
AlbChrome është kompania koncesionare e shfrytëzimit të kromit në minierat e Bulqizës. Kompania u ble nga Balfin Group në vitin 2013. Balfin drejtohet nga Samir Mane.
SMBB u themelua më 15 tetor si rezultat i mungesës së efektshmërisë së sindikatave të tjera. Themeluesit e saj kanë kërkuar paga dhe kushte më të mira dhe synimi kryesor i sindikatës është rritja e nivelit të përfaqësimit të punëtorëve në industrinë minerare të Bulqizës.