15 organizata të shoqërisë civile kanë dënuar dhunën e policisë ndaj protestuesve gjatë ditëve të fundit. Ata e konsideruan dhunën si joproporcionale dhe kritikuan vendimin e fundit të policisë për të ndaluar protestat.
“Shqipëria ka nevojë për reagime qytetare sa herë cënohen të drejtat e njeriut, sa herë autoritetet ndërmarrin akte kundër tyre dhe sa herë liritë tona kushtetuese e ligjore vihen në diskutim apo sprovë.
Protesta në demokraci është instrument i pazëvendësueshëm dhe ne duhet t’i shprehim mirënjohjen çdo qytetari të ndërgjegjshëm që e përdor këtë instrument në funksion të mbrojtjes së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut,” theksohet në deklaratën e tyre.
Ata shprehën shqetësim për mbipopullimin e burgjeve nga protestuesit dhe theksuan se kjo mund të krijojë vatra infeksioni.
Organizatat i bënë thirrje qeverisë të reagojë për dhunën ndaj protestuesve.
Një ditë më parë, për dhunën ndaj protestuesve ka reaguar Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, e cila kërkoi vetëpërmbajtje në reagimin ndaj protestuesve si dhe sigurimin e një hetimi të plotë, transparent dhe të pavarur të akuzave për përdorim të tepërt të forcës nga ana e policisë.
Lista e organizatave nënshkruese:
- Civil Rights Defenders
- Instituti i Studimeve Politike
- Keshilli Shqiptar i Medias
- Levizja Rinore Egjiptiane Rome
- Minority Right’s activist
- Qendra “Gratë në Shërbim Publik”/ WPS Albania
- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri
- Qendra Res Publica
- Qendra Shqiptare per Kerkime Ekonomike
- Qendra TREJA
- Aleanca LGBT
- Qendra Zeri Integrimit
- Rrjeti i Profesionisteve te Rinj
- Useful to Albanian Women
- Shoqata “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” Ksamil