Katër vite pas reformës energjitike, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i kthehet bilanceve negative. Kompania ka raportuar se pret ta mbyllë vitin 2019 me rreth €64 milionë humbje.
Këtë shifër OSHEE e raportoi në aplikimin e bërë pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për çmimin e energjisë elektrike për vitin 2020 (shih raportin këtu).
Duke iu referuar këtij raporti, gazetari i BIRN Gjergj Erebara, analizoi se:
“[…] OSHEE pret për këtë vit 58 miliardë lekë të ardhura dhe 65,6 miliardë lekë shpenzime.
“[…] të ardhurat pësuan rritje minimale prej 2% […] ndërsa shpenzimet u rritën me 20%, duke sjellë një rezultat final prej mbi 7.7 miliardë lekë humbjeje ose afërsisht €64 milionë.”
Rritja e shpenzimeve i faturohet kryesisht faktit se nuk ka pasur shumë prodhim prej reshjeve të pakta në kaskadën e Drinit dhe rritjes së kostos së blerjes së energjisë.
Gazetari Eerebara vëren se krahas shpenzimeve për blerje energjie – me 29 për qind, rreth €80 milionë, – u rritën gjithashtu shpenzimet për paga, makina apo karburant. Për këtë pjesë shpenzimet janë rritur me 36 për qind, rreth €33 milionë.
Në raportin e OSHEE thuhet:
“Rezultati financiar i vitit 2019 pritet të jetë një humbje prej 7.7 miliardë lekë [rreth €64 milionë] duke shënuar rezultatin e pare negativ pas 4 viteve me performance te suksesshme. Rritja e kostos se blerjes se energjise elektrike per shkak të thatësirës është treguesi kryesor që ka ndikuar në humbjen e pritshme pavarësisht masave të marra për uljen e kostove operacionale të shoqërisë,”
Në raport nuk sqarohet se çfarë kostosh operacionale është përpjekë të ulë kompania. Sipas të dhënave të saj, shpenzimet operacionale ishin në masën 11.4 miliardë lekë në vitin 2018 dhe u rritën në masën 15.4 miliardë lekë më 2019, me një diferencë prej 4 miliardë lekësh ose afro €33 milionë më shumë.
Sipas OSHEE, shkaku kryesor i rritjes së shpenzimeve operative janë kamatëvonesat që kompania tjetër shtetërore e energjisë, KESH, i ka faturuar për detyrime të para vitit 2015. OSHEE i kishte mbyllur vitet 2018 dhe 2017 me fitime rreth €15 milionë.
Në vitin 2015 qeveria hartoi një reformë në energji. Ajo rriti çmimin dhe futi OSHEE-në në një projekt investimi me kredi nga Banka Botërore. Kjo me supozimin se reforma, e cila solli burgosjen e mijëra shqiptarëve, do të sillte brenda vitit 2019, reduktimin e humbjeve në rrjet në masën 14% të energjisë.
Por ndërsa viti 2019 po mbyllet, sipas vlerësimeve të OSHEE, humbjet vijojnë të jenë në masën 22%.
OSHEE ka shënuar gjatë vitit 2019 edhe rritje të ndjeshme të detyrimeve të paarkëtuara nga ndërmarrjet publike jobuxhetore duke sjellë një rritje të lehtë të borxheve totale që klientët i kanë kësaj kompanie.
Deri në gusht, borxhi total i klientëve ndaj OSHEE raportohej të jetë 72.3 miliardë lekë (rreth €590 milionë) ose 400 milionë lekë (3,2 milionë) më shumë se sa në dhjetor 2018.
Shkaku kryesor i rritjes së borxhit është mospagesat nga sektori publik jobuxhetor, me një fjalë, ndërmarrjet shtetërore, kryesisht ujësjellësa.
Në fillim të vitit 2014, buxheti i shtetit mori përsipër pjesën dërrmuese të borxheve të prapambetura të këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE-së me supozimin se pas kësaj, këto kompani do të ishin në gjendje të paguanin faturat. Por katër vjet më pas, borxhet e këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE-së kanë arritur në 10 miliardë lekë (€80 milionë), ose dy herë më shumë nga sa ishin para krizës.
Si pasojë e këtyre vështirësive, OSHEE thotë se ka nevojë për një korrigjim në rritje të çmimit të energjisë me vlerë të përgjithshme prej 12 miliardë lekësh (€100 milionë), e cila duhet të ndahet në katër vitet e ardhshme në masën 3 miliardë lekë në vit (€25 milionë).
Marrë me shkurtime nga Reporter.al