Disa ditë më parë Ministri i Jashtëm Gjerman, Sigmar Gabriel, në një vizitë zyrtare në Beograd, bëri një deklaratë shumë të fortë “Serbia nuk do të integrohet asnjëherë në BE nëse nuk pajtohet me fqinjët”. Dhe këtu pa diskutim ai kishte në mendje Kosovën, sigurisht edhe Kroacinë e Bosnje- Hercegovonën.
Pak ditë më parë, mediat raportuan se po përgatitet një plan për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Plan që në dukje zgjidh problemet mes shqiptarëve dhe serbëve. Mirëpo ky plan do të ishte padiskutim dhe gabimi më i madh që shqiptarët do të bënin. Sërish, pak ditë më parë Presidenti serb, Vuçiç, gjatë një vizite në Zagreb, Kroaci kërkoi më shumë bashkëpunim dhe përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Mirëpo, atje në Zagreb, Presidentja Kolinda Grabar -Kitanovic ia preu shkurt servilizmit të Vuçiçit. ajo nuk u mundua aspak që të fshehte atë çfarë populli i saj ndjen, duke u shprehur se “marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë të mira”. Ka një numër të madh arsyesh se pse kroatët dhe serbët nuk kanë marrëdhnie të mira dhe kjo daton thëllë në histori — eksperienca e fillim viteve 90’ si masakrat e serbëve ndaj popullsisë civile në qytetet kroate, Vukovar etj, janë të mjaftueshme për të thenë ato fjalë.
Mirëpo, ndër fqinjët që kanë vuajtur më shumë nga serbët janë dhe shqiptarët. Historia tregon se gjenocidi ndaj nesh ka qenë i vazhdueshëm që nga koha kur fiset sllave erdhën në Ballkan. E ndërkohë që ne jemi vrarë dhe prerë nga serbët në vazhdimësi, ne sot jemi edhe më dashamirësit ndaj Serbisë. Asnjëherë, qeveritë e Tiranës zyrtare nuk kanë kërkuar asgjë në këmbim të një marrëdhënie normale me Beogradin, përkundrazi ne vetëm i kemi ndihmuar.
Pak kohë mbas mbarimit të luftës në Kosovë, qeveria serbe kërkoi rikthimin në institucionet Euro-Atlantike, duke filluar nga OSBE-ja. Fillimi i luftës në ish-Jugosllavi, kishte bërë që Serbia të përjashtohej nga të gjitha këto organizata, përfshirë dhe OSBE-në. Për tu bërë shtet pjesmarrës në këtë organizatë duhet që në momentin e votimit të gjitha shtetet me të drejtë votë të jenë dakord. Kishte kaluar shumë pak kohë nga gjenocidi serb në Kosovë dhe plagët ishin shumë të njoma, mes tyre edhe zhdukja e një numri të madh shqiptarësh, që në fakt akoma vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Shqipëria votoi pro anëtarësimit së Serbisë në OSBE, duke mos vendosur asnjë kusht për këtë votë. Kur u pyetën zyrtarët e ministrisë së Jashtme, ata thanë frazën e tyre të parapëlqyer, na u kërkua nga Brukseli dhe Washingtoni. Ndoshta mund të jetë bërë një kërkesë e tillë, por as Washingtoni as Brukseli nuk do të kishin thënë asgjë nëse do të ngrihej nga ne kërkesa për të gjetur të zhdukurit shqiptarë të luftës. Po ne nuk bëjmë asnjë kërkesë dhe kryeministri i rradhës morri lavdatën e rradhës nga dy kryeqytetet e sipërpërmendura.
Për të ardhë në ditët e sotme, kur shohim se si kryeministri rilindas Rama dhe Presidenti Thaci, janë në garë se kush e kush të marrë flamurin e pajtimit të madh shqiptaro-serb. Serbia, aktualisht është një nga shtetet aspirante për tu pranuar në BE. Por nëse kërkesat e Brukselit për zhvillim ekonomiko-shoqëror ajo i ka marrë seriozisht dhe ia ka dalë që të ec në këtë rrugë me shpejtësi, kapitulli i marrëdhënieve me fqinjët është një pengesë serioze. Kjo jo vetëm nga eksperienca integrimit europian, por edhe nga fjalët e thëna drejtpërdrejt nga Sigmar Gabriel.
Për të konfirmuar se ne mund të kërkojmë atë që na takon me të drejtën ndërkombëtare, por edhe si shpërblim për padrejtësitë historike të bëra nga serbët kundër kombit shqiptar në shekuj flet edhe ish ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild që thotë “Kroacia dhe Kosova mund ta pengojnë integrimin e Serbisë në BE, pasi e para ka probleme me përcaktimin e kufirit në Danub dhe problematikën e luftës së fillim viteve 90’, ndërsa e dyta mund të zvarrisë negociatat që zhvillohen në Bruksel”. Kroacia po i bën kërkesat e saj të drejtëpërdrejta dhe askush as në Bruksel dhe as në Washington nuk ka thënë dhe s’do ti thotë asgjë. Po ne?
Për vendet e rajonit tonë, marshimi me hapa të shpejt drejt BE-së është jetik, e para se përfundimisht siguron mbështetje financiare dhe sociale të pakufizuar nga fondet e saj dhe së dyti ke mundësi të shantazhosh ato që mbesin mbrapa, si puna e jonë. Pra Serbia, nxiton jo vetëm për aspektin financiar, por edhe për të vendosur veton në momentin kur Shqipëria dhe Kosova të jenë gati për të hyrë në BE duke bërë kërkesa kundër interesava tona.
Në një situatë të tillë, si po veprojnë dy shtetet shqiptare, thjesht po i servilosen Beogradit duke lënë përshtypjen se rruga jonë për në BE kalon vetëm nga kjo derë. Njëri shtet merr përsipër që të jetë garantues i pajtimit shqiptaro-serb, tjetri shtet shqiptar është i gatshëm të lëshoj territoret e tij për ti bërë qefin Beogradit.
Asnjëri nga dy shtetet shqiptare, nuk kërkon asgjë në këmbim të pajtimit, duke lënë përshtypjen se fajtorët për gjithë gjenocidin serb ndaj nesh janë shqiptarët dhe jo e kundërta. Apo ndonjëri mund të mendoj që toleranca jonë është me madhe se e fqinjve kroat? Jo ne nuk jemi më tolerantë se kroatët, por ne harrojmë historinë tonë, vuajtjet e popullit tonë, masakrimin e tij dhe jemi gati që për një foto apo lavdërim nga ndërkombëtarët të bëjmë servilin e Beogradit.