Paketa anti-shpifje, europarlamentarja përshëndet pezullimin, qeveria e ka botuar në Fletore Zyrtare

Nga Exit News
Paketa anti-shpifje, europarlamentarja përshëndet pezullimin, qeveria e ka botuar në Fletore Zyrtare

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos përshëndeti vendimin e qeverisë për të shtyrë votimin e paketës anti-shpifje deri në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias.

Në një konferencë të përbashkët për mediat me ambasadorin e BE-së, Luiggi Soreca, Isabel Santos i rekomandoi qeverisë që të marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë paketë:

“Vendimi për të shtyrë votimin e ligjit të anti-shpifjes është një tjetër hap i mirë për Shqipërinë, shpresoj që të merren parasysh të gjitha rekomandimet nga Venecia dhe dëshira e shqiptarëve në përputhje me standardet ndërkombëtare.”

Në fakt, një nga dy ligjet e ndryshuara sipas paketës anti-shpifje, ai për AKEP-in, u botua më 3 shkurt në Fletoren Zyrtare duke e bërë të paqartë punën e autoriteteve në një kohë kur nisma është dërguar në Komisionin e Venecias për t’u shqyrtuar nëse shkel apo jo lirinë e shprehjes. Ligji hyri në fuqi më 18 shkurt.

Paketa anti-shpifje përfshin ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” (AMA) dhe 4 neneve të ligjit për “për komunikimet elektronike” (AKEP).

Ndryshimet u miratuan në dhjetor 2019, por u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti në janar me argument kryesor se ato cenonjnë lirinë e shprehjes.

Pasi këmbënguli se do t’i rimiratonte pa i ndryshuar, më 30 janar, qeveria tha se u tërhoq nga rivotimi i nismës me argumentin se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias, kërkuar nga Këshilli i Evropës më 23 janar.

Megjithatë ndryshimet në ligjin për AKEP janë botuar në Fletoren Zyrtare.

Ky ligj i jep kompetenca Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që të ekzekutojë vendimet e marra nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

AKEP është autoriteti përgjegjës që administron adresat elektronike (domain-et) dhe sipas ndryshimeve ligjore – Neni 3 dhe Neni 4 – mund të detyrojë kompanitë që shërbejnë qasje në internet bllokimin e aksesit nëse vendos kështu AMA. Gjithashtu AKEP mund të gjobisë deri në 8,000 euro (1 milionë lekë) mediat që nuk i zbatojnë vendimet e AMA-s.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>