Paketa anti-Covid: kush përfiton pagën minimale nga shteti dhe si mund ta marrë

Nga Jona Plumbi
Paketa anti-Covid: kush përfiton pagën minimale nga shteti dhe si mund ta marrë

Kryeministri Rama paraqiti më 19 mars një sërë masash financiare për të përballuar krizën nga koronavirusi dhe pasojat shoqërore dhe ekonomike të saj.

Për bizneset e vogla, qeveria ka parashikuar financim të drejtpërdrejtë për ditët e munguara të punës, bazuar në rregjistrat shtetëror.

Punonjësit e bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarit mund të përfitojnë 26,000 lekë në muaj nëse aktiviteti i tyre është mbyllur për shkak të masave kundër koronavirusit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave hyri në fuqi ditën e dielë, 29 mars, dhe efekti i saj do të zgjasë për tre muaj.

Kush përfiton?

Përfitues të kësaj ndihme financiare janë të gjithë bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, që paguajnë tatim mbi fitimin (ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin). Këtu përfshihen të vetëpunësuarit, personat fizikë tregtarë dhe punonjësit e papaguar të familjes së tyre, si dhe personat juridikë.

Pagesat do të bëhen sipas listës së punonjësve të deklaruar nga biznesi. Për ato që i deklarojnë punonjësit çdo tre muaj, do të konsiderohet listëpagesa e tremujorit të fundit të 2019-ës. Ndërsa për bizneset që këtë deklarim e bëjnë çdo muaj, do të merret për bazë listëpagesa e janarit 2020.

Punonjësit që janë të regjistruar në më shumë se një punë do të përfitojnë vetëm një pagë minimale.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimin e bën biznesi në mënyrë elektronike në faqen web të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ku plotëson të dhënat e biznesit dhe ato të punonjësve që do përfitojnë pagën në formularin e caktuar.

Brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, drejtoritë rajonale tatimore do të bëjnë verifikimin e dokumentave dhe verifikimin në terren. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’i dërgojë listën e individëve përfitues Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit e cila kryen pagesat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>