Qeveria ka vendosur të japë një pagesë të vetme prej 40 mijë lekësh për rreth 176 mijë punonjës që kanë humbur të ardhurat nga kriza e koronavirusit. Në total qeveria do të paguajë mbi 7 miliardë lekë (afërsisht 56 milionë euro) për këtë paketë të dytë.
Këtë masë ekonomike të qeverisë e bëri të ditur të hënën në mbrëmje Kryeministri Rama i cili saktësoi se pëfituesit do të jenë rreth 100 mijë punonjës të biznesit të vogël, pra të bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë në vit; 66 mijë punonjës të biznesit të madh dhe rreth 10 mijë punonjës të sektorit të turizmit.
Kryeministri premtoi se pagesat për rrogat e munguara do të fillojnë të bëhen brenda datës 22 prill.
Kjo paketë vjen pas një pakete të parë prej 6,5 miliardë lekë e cila po shkon për pagesën e tre rrogeve minimale prej 26 mijë lekë secila për sipërmarrësit e vegjël dhe të punësuarit e tyre.
Qeveria ka vendosur gjithashtu edhe shtyrjen e pagesës së këstit parapagues të tatimit të fitimit për biznesin e vogël, për kompanitë e fasonerisë, për qendrat telefonike dhe bizneset prodhuese për mbas 31 dhjetorit 2020.
Ndërsa për sistemin bankar, sektorin e telekomunikacioneve, kompanitë publike dhe kompanitë e tjera të cilave u janë rritur të ardhurat pagesa e kësteve mujore të tatimit mbi fitimin do të shtyhet për pas 31 shtatorit 2020.
Si pjesë e kësaj pakete të dytë, qeveria ka vendosur të japë një tjetër garanaci sovrane për huatë e biznesit deri në vlerën prej 15 miliardë lekë (rreth €120 milionë).
Kryeministri u shpreh gjithashtu se qeveria do të marrë përsipër pagesën e kësteve të interesit të këtyre huave, por detajet nuk u bënë të qarta.