Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi sot për një takim mes zv/Ndihmës Sekretarit për Shtetin, Matthew Palmer dhe ambasadores Yuri Kim, me të cilën ka diskutuar qëndrimin e Shqipërisë kundrejt Iranit dhe zhvillimin e fundit rreth reformës zgjedhore.
Ambasada shkroi në Facebook, se diskutimi i zotit Palmer, i cili është njëherësh i Dërguar i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin, me zonjën Kim ishte për:
“[…] qëndrimin e guximshëm dhe parimor të Shqipërisë mbi Iranin, si dhe lajmin pozitiv lidhur me përkushtimin ndërpartiak për të realizuar reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.”
Ambasadorja e re Yuri Kim u betua më 8 janar për të marrë detyrën në vend të Donald Lusë, i cili u emërua vitin e shkuar Ambasador në Kirgistan.
Ajo është zotuar të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë të zgjidhin krizën politike, si e vetmja mënyrë për të forcuar perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.