Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka bëri publike të mërkurën një listë të punonjësve të adminsitartës së bashkisë Durrës, të denoncuar në SPAK për krime zgjedhore, të cilët sipas tij janë caktuar si pjesë e administratës zgjedhore të KAS.
Përmes një statusi në rrjetin Facebook, Paloka akuzoi KAS-in se i shërben Ramës dhe nuk pyet “as per ligjin e as per faktet per te zbuluar te verteten e masakres zgjedhore te 25 prillit“.
Ai shtoi se pranimi i kërkesës së LSI-së për rinumërim është një fasadë për të thënë se jo të gjitha kërkesat e opozitës u hodhën poshtë.
“Pranojne rinumerim sepse dihet nga te gjithe qe manipulimi dhe krimet zgjedhore qe kane vendosur rezultatin, jane kryer ne proceset para numerimit perfshi ketu ato qe jane publike dhe lehtesisht te verifikueshme,” shkruan Paloka.
Ai shprehet se përdorimi i administratës për blerjen e votave është lehtësisht e provueshme me anë të dokumenteve që PD-ja ka kërkuar nga institucionet.
“Sot , si per te treguar cinizmin dhe arrogancen ndaj ligjit deri ne fund, PS con si vezhgues ne rinumerimin e votave ne KAS, drejtues dhe punonjes te administrates, pjesa me e madhe e te cileve jane ne listen e denoncuar nga PD ne SPAK…!,“përfundon Paloka.
KAS filloi të mërkurën në orën 10.00, me kërkesë të LSI-së, rinumërimin e 108 kutive në qarkun Durrës.
Ajo rrëzoi një ditë më parë kërkesën e PD-së për marrjen e provave shtesë.