Bashkia Tiranë nuk e ka ende të sigurt se si do t’i sigurojë paratë për rindërtimin e godinave të shembura në Qytetin Studenti (QS).
Në një intervistë me gazetaren Alba Demiraj të Top-Channel, nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku tha se:
“Objektet (3 konviktet) që u shembën ishin paramenduar të riparoheshin dhe të ristrukturoheshin në mënyrë tërësore nga KfW-ja (Banka Gjermane për Zhvillim), ne jemi duke biseduar me ta për ta kthyer nga një program rikonstruksioni, në një program rindërtimi tërësor të këtyre objekteve.”
Deklaratat e nënkryetarit Mazniku bien ndesh me ato të kryebashkiakut Veliaj bërë dy javë më parë. Por si fillim duhet sqaruar se projekti që citon zoti Mazniku është ai i 4,5 milionë eurove që ishte parashikuar që në vitin 2015 me marrëveshjen financiare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ky projekt parashikonte rehabilitimin e konvikteve në QS sipas parimit të eficencës së energjisë elektrike.
Mosrealizimi i këtij projekti u ngrit si shqetësim nga opozita në vitin 2017 dhe në fund të vitit 2018.
Pas tërmetit të 26 nëntorit në QS 3 konvikte u shpallën të pabanueshme. Më 5 dhjetor Këshilli Bashkiak vendosi që godinat 19-të, 15-të dhe 18-të të shembeshin ehde pse, në veçanti, godina 18-të nuk shfaqte shenja dëmtimesh pas tërmetit.
Më 12 dhjetor teksa po vëzhgonte nga afër shembjen e një nga godinave në QS, Veliaj tha:
“Siç kemi bërë me shkollat e reja, me një skemë ku ne i bëjmë pagesat ndër vite, besojmë se edhe në QS do të kemi mundësinë të bëjmë pagesat ndër vite teksa fillon një kampus i ri këtu… edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe që nga një fatkeqësi del një avantazh i jashtëzakonshëm për të sjellë një urbanistikë që i bën ballë edhe 100 vite të tjera Tiranës.”
Skema e shkollave së cilës Zoti Veliaj i referohej është ajo e koncesionit për ndërtimin e 17 shkollave, për të cilën privatët fitojnë nga 2,5 milionë euro për çdo projekt dhe qytetarët e paguajnë atë përmes një takse në faturat e ujit.
Sipas gazetares Demiraj projekti i kampusit të ri në QS do të ketë 11 ndërtesa të reja. Nga prezantimi në një ekran i projektit, zoti Mazniku thotë se:
“Diskutimi që (Bashkia Tiranë) kemi bërë me Fakultetin Juridik është që ai të jetë i gjithi i vendosur në kampus […] kemi diskutuar me Fakultetin e Shkencave Sociale, i cili më pas, përveç ndërtesës që ka tashmë, të ketë mundësi të lëvizë pas një rikonstruksioni tërësor te (ndërtesa e) Fakulteti Juridik.
Fakulteti i Histori-Filologjisë mund të zgjerohet dhe të marrë gjithë objektin e Filologjikut ndërkohë që Fakultetit të Gjuhëve të Huaja do t’i bëhet një objekt i ri në kampus. Fakulteti Ekonomik ka nevojë për një ndërtesë të madhe pothuajse 10 mijë metra sërish në kampus. Ndërsa për Fakultetin e Shkencave të Natyrës plani është që aty ku ndodhen të shihet mundësia e zgjerimit të kapaciteteve në atë vend.”