Shqipëria do të jetë shteti i parë në Ballkanin Perëndimor ku Europoli do të ketë të vendosur një oficer, i cili do të bashkëpunojë me policinë.
Prezantimin e këtij vendimi e bëri Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sot, gjatë një ceremonie. Zoti Lleshaj e quajti ardhjen e oficerit të Europol si “integrimi de facto i Shqipërisë në BE”:
“Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, […] na bën të ndihemi mirë.
Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi de facto. Ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure.”
Sipas ministrit Lleshaj, ardhja e oficerit të Europol lidhet me rritjen e lëvizjes së qytetarëve në kufijtë shqiptarë:
“Vetëm në 10 vitet e fundit, numri i njerëzve që kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë është rritur gati 160 për qind.
Mjaftojnë vetëm kjo shifër për të treguar nivelin e jashtëzakonshëm që ka arritur lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është një lajm shumë i mirë, dhe pikërisht për këtë shoqërohet edhe nga një sfidë e madhe, si ta forcojmë nivelin e integrimit pa kompromentuar sigurinë?”
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu tha se oficeri do të bashkëpunojë me policinë për të luftur krimin e organizuar:
“Europol synon të përmirësojë bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese kundër krimit të organizuar.”
Vendosja e një oficeri të Europolit në Shqipëri vjen dy muaj pasi FRONTEX, misioni i BE-së për ruajtjen e kufijve, vendosi në kufijtë shqiptarë rreth 50 policë për të siguruar mbrojtje nga emigracioni i paligjshëm që në kufijtë e jashtëm të vendeve europiane.
Aktualisht, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë vendosur 50 oficerë policie nga vende të ndryshme të BE-së, 16 makina patrullimit dhe 1 makinë me aparaturë për identifikimi termik të emigrantëve për të mbështetur vendin tonë ne luftën kundër emigracionit dhe krimit ndërkufitar.
Këto vendime të njëpasnjëshme duken si masa direkte që BE po ndërmerr për të ndaluar emigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës që po i vjen nga Shqipëria, pas dështimit të qeverisë shqiptare.