Vaksinimi i popullsisë kundër koronavirusit me vaksinën Oxford/AstraZeneca nuk po ngadalësohet në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se disa vende evropiane kanë ndaluar përdorimin e saj për shqetësimet në lidhje me mpiksjet e rralla të gjakut.
Agjencia Rregullative e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (MHRA) tha se kishte identifikuar 30 raste të mpiksjes së gjakut ndër 18,1 milion doza të administruar deri në 24 Mars, por theksoi se përfitimet “vazhdojnë të tejkalojnë ndonjë rrezik ”. Nga këto 30 raste, MHRA tha, se shtatë njerëz kishin vdekur. 30 rastet përfshijnë 22 raste të trombozës në tru dhe tetë raste të tjera me trombocite të ulëta.
Një lidhje shkakësore midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut nuk është provuar, por hetimet po vazhdojnë.
Mjekët u bëjnë thirrje njerëzve që të vaksinohen, duke thënë se ajo është e sigurt dhe rreziku më i madh është të jeni të pavaksinuar.
Në muajin e fundit, Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja ndaluan përdorimin e vaksinës ndërsa Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) po vazhdon hetimet. EMA pritet të publikojë udhëzime të reja në 7 Prill.
Si Organizata Botërore e Shëndetësisë ashtu edhe EMA kanë thënë se vendet duhet të vazhdojnë të përdorin vaksinën. Drejtori ekzekutiv i EMA tha se nuk kishte “asnjë provë” për të mbështetur kufizimin në përdorimin e vaksinës.
Artikulli u botua në The Guardian/ Përktheu dhe përshtati Exit News