Më 2 shtator 2016 Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto la befas detyrën. Një orë pas publikimit të lajmit, LSI do të sqaronte se dorëheqja lidhej “me angazhime elektorale” brenda partisë.
Por a ishte ky motivi që Haxhinasto të largohej nga qeveria pas plot 6 vjetësh?
Që nga koha kur u emërua ministër për herë të parë në qeverinë Berisha, më 16 shtator të vitit 2010 si Ministër i Jashtëm, LSI ka zhvilluar 3 beteja elektorale. Ai ka qenë i angazhuar në të tre fushatat, por pa qenë nevoja të lërë detyrën e ministrit.
24 orë para se të linte detyrën atij i kishte dështuar një prej projekteve kryesore: më 1 shtator Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) i kishte ndryshuar fituesin e tenderit për koncesionin e Rrugës së Kombit.
Ministri i Transporteve i ishte drejtuar me një ankesë Komisionit të Prokurimit Publik që të rishikonte vendimin për pranimin e ankesës së kompanisë së dytë në garën për koncesionin e rrugës Durrës – Kukës, pra që të mos e pranonte atë.
Ministria e Transporteve shpalli fitues i këtij koncesioni 30 –vjeçar një bashkim shoqërish nën emrin “Vendeka Bigli Teknolojileri” Ltd. & “PT Citra Marga Nusaphala Persada” Tdk & Mehmet Ali Unal Insaat Taahhlil Madeciilik San Ve Tic” As. & “Savronik Sistem Tah.San.Tic” As; & “Vendeka European Investment B.V”.
E skualifikuar ishte një bashkim kompanish pas të cilës qëndrojnë dy biznesmenë të fuqishëm shqiptarë, nën emrin “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “ Kastrati” sha”.
Edmond Haxhinasto, në shkresën zyrtare drejtuar KPP, që Lapsi.al po e boton të plotë, i vinte në dukje kreut të tij Gentian Këri, faktin se ankesa e “Catalyst” ishte bërë jashtë afateve ligjore. Si e tillë ajo nuk mund të pranohej.
“Pala ankimuese, sipas nenit 32, të VKM 634, datë 01.10.2014 “për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/PPP të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale” kishte afat që brenda datës 27.07.2016 të ankimonte vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik. Ankimimi në KPP nga bashkimi i operatorëve ekonomisë “Catalyst…” është depozituar në datë 01.08.2016, pra pesë ditë pas mbarimit të afatit të përcaktuar në lex specialis.
Afati pesë ditor i ankimimit mbaron në datën 27.07.2016, pra ankimimi i bashkimit të operatorëve ekonomikë “Catalyst…” është paraqitur jashtë afatit ligjro dhe si i tillë nuk d uhej të merrej fare në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimit Publik”, thuhet në shkresën që mban firmën e Haxhinastos.
Pasi pranoi ankimimin, ndonëse jashtë afateve ligjore siç shprehet Ministri i Transporteve, Komisioni i Prokurimit Publik e rrëzoi vendimin e Ministrisë duke ia hequr tenderin kompanisë “Vendeka Bigli” dhe duke ia dhënë bashkimit të kompanive “Catalyst” në të cilën bëjnë pjesë edhe “Salillari” e “Kastrati”.
KPP rrëzoi kështu projektin më të rëndësishëm të Ministrisë së Transporteve në punët publike; një tender prej 320 milionë dollarës për mirëmbajtjen e autostradës Durrës – Kukës. A ishte ky dështim që e “vulosi” largimin e tij? Shumë versione janë hedhur në publik. Ai i ish –kryeministrit Sali Berisha, më 8 shtator, flet për prishje pazaresh të kryeministrit Rama me fituesit, çka sipas tij mund të ketë çuar edhe në largimin e Haxhinastos.
Menjëherë pasi firmosi vendimin për të ndryshuar fituesin e koncesionit nga detyra dha dorëheqjen edhe kreu i KPP, Gentian Këri, pa ndonjë arsye specifike.
Oferta e “Vendeka Bigli” ishte 320 milionë euro, ndërsa ajo e “Catalyst” 217 milionë euro, për shfrytëzimin 30 –vjeçar të autostradës.
Ministria e Transporteve, relacionit të gjatë drejtuar KPP i bashkangjiti edhe mendimin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare IFC, pjesë e Bankës Botërore.
Në dokumentin që disponon Lapsi.al, IFC argumenton se “Vendeka Bigli” që u shpall më vonë fituese “zotëron kualifikimet e duhura për ta realizuar me sukses një koncesion të tillë”. Ndërsa “Catalyst” – thuhet në dokument – “nuk i zotëron të gjitha kualifikimet e nevojshme për realizimin me sukses të kontratës”.
“Në pikëpamjen tonë, konsorciumi (Catalyst) nuk tregon që të ketë eksperiencën e duhur në operacione të autostradave me pagesë, që është një prej kritereve më të rëndësishëm të këtij projekti”, thuhet në relacionin e IFC, që shoqërohet me të tjera argumenta pro “Vendeka” dhe kundër “Catalyst”.
“Catalyst” paraqiti ankesë, 9 ditë pas shpalljes së fituesit. KPP, për pranimin e ankesës sqaron se i është referuar “nenit 43, të Ligjit nr. 125/2013, datë 25.04.2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” nenit 19/1 dhe vijues, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar, nenit 28 të VKM-së nr. 184, datë 17.03.2010 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik”.
Por Ministria e Transporteve i përgjigjet KPP se nuk mund të mbështetej tek ky ligj kur ka vendosur të pranojë ankesën, pasi kjo procedurë është përjashtuar me VKM numër 634 të vitit 2014.
“E gjithë procedura konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës milot – Morinë… rregullohet me VKM nr 634 datë 01.10.2014 pasi ligji nr 88/2014 datë 10.07.2014 e ka përjashtuar këtë procedurë nga aplikimi i ligjit për koncesionet dhe për rrjedhojë është autorizuar Këshilli i Ministrave bazuar në nenin 5 pika 2 të ligjit për koncesionet për përcaktimin e rregullave speciale për këto procedura”.
Kjo mënyrë e të gjykuarit të KPP është konsideruar e gabuar nga Ministria e Transporteve. VKM 634 në nenin 32, pika 2, parashikon që “çdo ofertues ka të drejtë të ankimojë në KPP, brenda 5 ditëve nga publikimi i vendimit”. Vendimi i ministrisë për shpalljen e fituesit është marrë më 22 korrik, ndërsa ankimimi është bërë më datë 1 gusht 2016, jashtë afatit 5ditor.
Por KPP vendosi sërish kundër Ministrisë, kundër sugjerimeve të ministrit Haxhinasto dhe kundër rekomandimeve të IFC-së së Bankës Botërore.
Këto zhvillime kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh: Përse ankesa u bë jashtë afateve ligjore siç pretendon ministri i Transporteve? Për më tepër, përse u pranua nga KPP jashtë këtyre afateve duke iu referuar një ligji të përjashtuar? A u siguruan më parë garancitë e nevojshme se fituesi mund të ndryshonte? A ishte kjo përplasje mes Ministrisë së Transporteve dhe KPP arsyeja e largimit të Haxhinastos dhe më vonë edhe e kreut të KPP?
Avokati i “Vendeka” në Tiranë, Bledar Fejzo, thotë se në 85 faqet e arsyetimit të KPP janë “vetëm një pasqyrë e ankesës së “Catalyst” çka e bën të mendojë se “vendimi ka qenë i paragjykuar”.
“Po t’i shtosh kësaj edhe faktin që ankimimi është pranuar jashtë afatit, dyshimet toka për objektivitetin e vendimit janë shumë të mëdha. Nga ana tjetër, ne nuk mendojmë që 5 anëtarët e KPP kanë kapacitetin dhe aftësinë e duhur për vlerësimin e këtyre lloj ofertave në krahasim me ekspertizën e IFC”, është shprehur ai pas ndryshimit të fituesit.
Ministria e Transporteve njoftoi se do të ndjekë hapat e mëtejshëm për të ekzekutuar vendimin e KPP dhe në bashkëpunim konsulentin ndërkombëtar IFC do të vijojë negocimin e kontratës, kësaj here me “Catalyst”. Ndërsa “Vendeka Bigli” mund t’i drejtohet gjykatës. Negocimi do të ndiqet nga Ministri i ri i Transporteve që zëvendësoi Haxhinaston, i cili, që pas dorëheqjes nuk është parë të jetë aktiv në parti me “angazhimet elektorale”.
Artikull i botuar më parë në median online Lapsi.al