Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se kanë gënjyer dhe kanë bërë propagandë me projektin “100 fshatrat turistikë” pasi nuk kanë kryer investimet e premtuara.
Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi ka treguar se në fshatin Shesh të Tiranës, mungojnë shërbimet që përshkruhen në tabelat e informacionit që janë vendosur në kuadër të projektit “100 fshatrat”.
“Programi i Integruar për Zhvillimin Rural – Programi i 100 Fshatrave” u prezantua nga qeveria pas zgjedhjeve të vitit 2017. Ai synon që për 4 vite të nxisë turizmin në 100 zona rurale. Qeveria premtoi investime publike me qëllim nxitjen e sipërmarrësve privatë që të ofrojnë shërbime në favor të zhvillimit turistik.
Këlliçi deklaroi nga fshati Shesh se aty nuk është bërë asnjë nga investimet e pretenduara në tabelën informative, si përshembull prania në fshat e një agrobiznesi, restoranti, bujtinash, bankomatë, etj.
Në pamjet e publikuara nga PD duken rrugët e pashtruara të fshatit dhe disa banesa të dala jashtë funksionit.