Ish deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi akuzon kryebashkiakun Veliaj dhe qeverinë Rama se po hapin vitin e ri shkollor ndërkohë që ka mësues të infektuar me Covid-19 dhe personave që kanë pasur kontakt me ta nuk i është bërë testi.
Vokshi denoncimin e bëri nga shkolla “Jeronim de Rada” ku ¼ e stafit mësimor është prekur nga pandemia koronavirus, sipas informacioneve të ardhura pranë Partisë Demokratike.
Mësuesit e kësaj shkolle, të cilët kanë patur kontakt me 10 mësuesit e infektuar me koronavirus, janë urdhëruar të japin mësim në 14 shtator pa iu bërë testi për të kontrolluar nëse janë të infektuar apo jo, akuzoi Vokshi në media.
PD ka sugjeruar testimin masiv të mësuesve të shkollave, të cilën e përllogarit të kushtojë rreth 1,6 milionë euro për rreth 40 mijë punonjës dhe mësues të sistemit arsimor në vend.